Burimet ujore kalojnë tek mjedisi, opozita skeptike, nuk do të funksionojë
Zëvendësministri i Mjedisit, Genti Gazheli prezantoi në Komisionet parlamentare draftin për burimet ujore i cili ka në thelbin e tij kalimin e kësaj agjencie nga kryeministria në varësi të ministrisë së Mjedisit.
Sipas tij ky ndryshim vjen si reflektim i gjetjeve të raportit të SIGMA-s dhe synon një rishpërndarje më të balancuar të përgjegjësive duke shmangur centralizimin, dhe ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare.
“Nevoja për ndërhyrje lindi në kuadër të gjetjeve të raportit të SIGMA-s, lidhur me forcimin e qendrës së qeverisjes në Shqipëri, sa i përket shpërndarjes së përgjegjësive në nivel qendror, duke theksuar se struktura administrative aktuale mbetet e centralizuar. Këto ndryshime do të kontribuojnë në përmirësimin e koordinimit të veprimtarive të ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit evropian”, u shpreh Gent Gazheli, Zëvendësministër i Mjedisit.
Nga ana tjetër deputetët e opozitës janë shprehur skeptik për mënyrën e funksionimit të kësaj agjencie nën drejtimin e ministrisë së Mjedisit.
“Nuk ka probleme të strukturës, por ka probleme të mëdha të koordinimit të strukturave dhe të efektivitetit të zbatimit të ligjeve”, tha deputeti i PD-së, Eno Bozdo.
“Unë e shoh këtë si një deklarim të një konflikti shumë të qartë interesi dhe mendoj se kjo skemë nuk do të jetë e suksesshme”, tha Edmond Haxhinasto, Deputet, PL. Në raportin për përmirësimin e Qeverisjes dhe Menaxhimit, të Bashkimit Evropian vihet re se rreth 26 agjenci raportojnë aktualisht drejtpërdrejt te Kryeministri, duke krijuar një ngarkesë të lartë administrative dhe mospërputhje mes natyrës sektoriale të agjencive dhe mbikëqyrjes së tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




