“Çasti i Duhur” – Bujar Kapexhiu: Në çdo kohë, arti ka qenë një mënyrë për të thënë të vërtetën
Regjisori, skenaristi, karikaturisti dhe aktori i njohur Bujar Kapexhiu, i ftuar në emisionin “Çasti i Duhur” në RTSH1, ka rrëfyer rrugëtimin e tij artistik që nga fillimet në Teatrin e Estradës së Tiranës në vitin 1968, deri te krijimtaria e sotme në poezi humoristike e satirike. Kapexhiu tha se humori ka qenë boshti i gjithë jetës së tij artistike nga karikatura e deri te skenari dhe filmi.
“Në shumë zhanre të ndryshme por të gjitha brenda humorit cilat kanë ndihmuar njëra tjetrën. Me humorin jam marrë fillimisht me karikaturën, e cila nga ana figurative dhe ideore ndihmon shkrimin, skenari filmash dhe së fundmi me poezi humoristike dhe satirike të cilën e shkruaj për vete, sepse kënaqem, shplodhem. Vjen një moment kur ulem, shkruaj dhe vizitoj dhe argëtohem. Gjatë krijimtarisë time të gjitha gjërat kanë mbetur, në estradë kam kënaqësinë që kam vënë disa shfaqje rreth viteve ‘70. Por jam marrë shumë dhe me ilustrimet e librave. Në vitin ’70 unë kam bërë poezinë e parë, por në atë ishte një luftë e artit socialist kundër artit perëndimor“, u shpreh Bujar Kapexhiu.
Ai kujtoi sfidat e kohës, përfshirë periudhën pas Festivalit të 11-të të Këngës, kur u përball me përjashtime dhe censurë, por edhe momentet kur karikaturat e tij u bënë simbol i guximit artistik në vitet e para të demokracisë.
“Në vitin ’72 pas festivalit të 11, më kujtohet kryeredaktori i revistës “Hosteni” më thoshte: “Bujar e di pse të hoqën ty? Sepse kur panë filmin Dueli i Heshtur thanë ky që e luan me kaq pasion këtë rol edhe ky duhet të jetë i poshtër”. Kishte humorist të shquar që merreshin me humorin dhe me shkrimet dhe karikaturat e tyre dhe mund të që ishin opzitarët e parë sepse me shumë guxim kapnin momente të ndryshme të cilat nuk duhet të ishin në atë formë“, theksoi ai.
Artisti theksoi se, megjithëse demokracia solli liri krijuese, kinematografia shqiptare sot është e lënë pas dore. Kapexhiu, përfundoi duke nënvizuar nevojën për më shumë vëmendje ndaj artit dhe humorit si pasqyrë e shoqërisë.
“Në vitet ’92 vizatova dhe bëra karikaturë për herë të parë presidentin. Kemi pasur edhe telefonata, pas tyre kemi pasur edhe kërcënime të egra nëse do të bëja këtë apo atë personazh, por unë i kam bërë të gjithë. Kam arritur në një konkluzion në të gjithë jetën time në karikaturë çuditërisht thith edhe mendimin shoqëror. Me demokracinë kinematografia pësoi goditje madje edhe sot është e goditur nuk janë të interesuar për të bërë filma“, tha Kapexhiu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




