“Çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen kur ajo ka nisur t’i ndryshojë gjërat”, Rama: Monumenti i pandëshkueshmërisë ra, si deri dje nuk mund të imagjinohej

Politikë | 3 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë ku qytetarët kanë pritshmëri gjithnjë e më të larta ndaj qeverisjes, duke theksuar se ndryshimet e realizuara gjatë viteve të fundit kanë ulur ndjeshëm tolerancën ndaj problemeve që mbeten.

Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar socialist, Rama citoi mendimtarin francez Alexis de Tocqueville, duke thënë se “çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen kur ajo ka nisur t’i ndryshojë gjërat”.

Sipas tij, një nga ndryshimet më të rëndësishme është funksionimi i reformës në drejtësi, duke theksuar se për herë të parë në historinë e vendit zyrtarë të lartë po hetohen dhe gjykohen.

“Për mbi 100 vjet në Shqipëri nuk ishte hetuar e aq më pak gjykuar në mënyrë të pavarur një zyrtar i lartë. Monumenti i pandëshkueshmërisë ra, si deri dje nuk mund të imagjinohej”, u shpreh Rama.

Kryeministri u ndal edhe te dixhitalizimi i shërbimeve publike, duke kujtuar se dikur qytetarët prisnin në radhë për të marrë shërbime bazë, ndërsa sot, sipas tij, 95% e tyre ofrohen online.

Megjithatë, Rama tha se këto arritje nuk e kanë rritur tolerancën e qytetarëve ndaj problemeve, por përkundrazi kanë shtuar kërkesat për standarde më të larta. Si shembull ai përmendi rastin e një të moshuare që protestoi për shkak të radhëve në poliklinikë.

“Kur fryma e përparimit bëhet e qëndrueshme dhe zhvillimi i pandalshëm, pritshmëritë rriten. Asnjë sukses nuk e ul kërkesën, vetëm e rrit”, deklaroi ai.

Rama u ndal edhe te mbrojtja e faunës, duke kujtuar se vite më parë gjuetia e paligjshme ishte e përhapur në të gjithë vendin, ndërsa sot, sipas tij, ndërgjegjësimi dhe pritshmëritë e shoqërisë për mbrojtjen e kafshëve janë shumë më të larta.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme