Certifikohen 77 oficerë të rinj sigurie në shkolla, Manastirliu: Rrisim në 400 numrin e tyre, për herë të parë edhe në arsimin profesional

Sociale | 1 vit më parë

Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë së Ministrisë së Mbrojtjes, certifikuan sot 77 oficerë të rinj sigurie, që do të shërbejnë në institucionet e arsimit parauniversitar. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, oficerë sigurie, mësues dhe prindër, përfaqësues të këshillave të prindërve.

Në fjalën e saj, Manastirliu deklaroi se këta oficerë do të shërbejnë në institucionet arsimore, duke garantuar më shumë siguri për nxënësit.

“Sot ju certifikoheni nga Akademia e Sigurisë dhe Ministria e Brendshme si figura profesionale që do të shërbeni me përkushtim dhe profesionalizëm në institucionet tona të arsimit. Përgjatë gjithë këtyre muajve kemi mundësuar që në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe me Akademinë e Sigurisë të nisim thirrjen e radhës për oficerët e sigurisë në shkolla, ku tashmë jemi në momentin ku certifikojmë 77 oficerë të sigurisë, të cilët do të jenë pjesë e listës së kandidaturave për punësimin në shkollat tona dhe ku menjëherë gjatë muajit qershor do të hapim një cikël të dytë të certifikimit nga Akademia e Sigurisë”, deklaroi ministrja.

Kjo e fundit u shpreh se numri i oficerëve të sigurisë do të rritet duke përfshirë për herë të parë edhe arsimin profesional.

Ministrja u ndal edhe te nevoja për forcimin e mekanizmave që fenomenet negative dhe vuri theksin te rëndësia e fletores digjitale të komunikimit, që informon prindërit në kohë reale për gjithçka ndodh me fëmijët në shkollë.

Duke përshëndetur 77 oficerët e rinj të certifikuar nga Akademia e Sigurisë, Ministri Hoxha nga ana e tij tha se “u hodh një hap i rëndësishëm me certifikimin e oficerëve të rinj të sigurisë. Me paketën “Siguria në Shkolla”, po ndërtojmë një sistem ku arsimi cilësor dhe siguria ecin bashkë, çdo ditë, në çdo shkollë të Shqipërisë. Këta oficerë nuk janë thjesht një prani, por pika e parë e reagimit, gjithmonë pranë nxënësve, mësuesve dhe prindërve”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme