Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Osmani: Së shpejti shpallet data e konstituimit të Kuvendit

Kosovë | 2 vite më parë

Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës certifikoi të enjten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, presidentja Vjosa Osmani konfirmoi se në zyrën e saj ka mbërritur shkresa përkatëse e KQZ-së, ndërsa së shpejti do të bëjë të ditur datën kur do të konstituohet Kuvendi i ri. 

“Pak më parë ka ardhur edhe shkresa zyrtare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në presidencën e Republikës së Kosovës, ku na njoftojnë me rezultatet e zgjedhjeve të certifikuara, mënyrën se si ndahen ato ulëse në Kuvendin e Kosovës. Siç e dini ka një afat prej 30 ditësh. Është një afat kushtetues, ligjor, i cili parashihet për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Për momentin ekipi ime ligjor është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë për përgatitje të kësaj seance, në mënyrë që kur të thirret seanca të jetë e suksesshme. Pra, të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Gjithçka do të bëhet brenda afatit kushtetues, për momentin nuk mund t’ju jap një datë, se dua të jem e saktë. Mirëpo shumë shpejt do ta kemi atë,” u shpreh presidentja Osmani.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, e cila ka dalë forcë e parë në zgjedhje, por pa fituar mjaftueshëm vota për të pasur të drejtën për krijimin e qeverisë së re të vendit, është shprehur më parë se do të priste certifikimin, por edhe konstituimin e Kuvendit për nisjen e negociatave për një qeveri koalicioni.

Bedri Hamza, kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike, që doli forcë e dytë, ka bërë me dije se partia e tij është në bisedime me LDK-në, AAK-në dhe me Nismën Socialdemokrate për koalicionin qeveritar, por ndërkohë vetë nuk u shpreh kundër bisedimeve me LVV-në.

“Gjatë fushatës zgjedhore kam qenë kundër vijave të kuqe. Vijat e kuqe nuk është që i preferoj. Për shkak të programeve, bindjeve politike, koncepteve, për mua është e preferueshme krijimi i qeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partitë e tjera, të cilat kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës,” deklaroi përfaqësuesi i PDK-së.

Hamza, ndërkohë, dorëzoi dje kërkesën në KQZ për të hequr dorë nga mandati i deputetit, pasi preferon që për momentin të jetë kryetar i komunës së Mitrovicës, edhe pse kanë mbetur pak muaj deri në përfundimin e mandatit të tij në atë post.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme