Ceuta kërkon ndihmë për emigrantët/Mbi 1.100 të mitur presin transferimin në Spanjën kontinentale

Botë | 3 muaj më parë

Autoritetet në Ceuta po kërkojnë ndihmë urgjente për përballimin e numrit të lartë të të miturve emigrantë të pashoqëruar që ndodhen në enklavën spanjolle. Drejtuesit lokalë kërkojnë transferimin e tyre në Spanjën kontinentale, pasi qendrat e pritjes nuk kanë më kapacitet.

Situata u përkeqësua pas mbërritjes së rreth 72 mijë emigrantëve brenda një jave. Shumica janë kthyer në Marok, por rreth 1 mijë e 100 të mitur mbeten ende në Ceuta, pasi ligji nuk lejon kthimin e menjëhershëm të tyre. Shumë prej tyre po strehohen në ambiente të improvizuara, ndërsa të tjerë janë detyruar të flenë në rrugë.

Gjatë përplasjes së fundit në kufirin mes Ceutës dhe Marokut humbën jetën rreth 75 persona, duke rikthyer shqetësimin për një krizë të re emigracioni në Evropë. Kreu i qeverisë lokale, Juan Jesus Vivas, tha se situata është bërë e papërballueshme dhe theksoi se po kërkojnë ndihmë, sepse kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më.

Sipas ligjit spanjoll, të miturit e pashoqëruar duhet të transferohen në rajone të tjera të vendit pasi të përfundojë dokumentacioni i tyre. Megjithatë, procesi është shoqëruar me debate politike, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se identifikimi dhe zhvendosja e tyre mund të zgjasë për muaj të tërë.

Qeveria spanjolle ka akorduar 25 milionë euro për Ceutën, ndërsa autoritetet theksojnë se respektimi i ligjit dhe bashkëpunimi mes rajoneve është thelbësor për t’u garantuar të miturve kujdesin e nevojshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme