Danimarka ndal fluturimin e dronëve civilë, vendimi vjen si masë sigurie para samitit të BE në Kopenhagen
“Ne do ta mbyllim hapësirën ajrore daneze për të gjitha fluturimet e dronëve civilë nga e hëna deri të premten”, kështu njoftoi Ministria Daneze e Transportit, ndërsa në Kopenhagen më 1 tetor do të mblidhen krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së, i ndjekur nga një samit i Komunitetit Politik Evropian më 2 tetor.
“Kemi në fokus të veçantë sigurinë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ministria daneze. Kjo e fundit tha se vendimi u mor me qëllim lehtësimin e punës për garantimin e sigurisë nga ana e policisë.
Masa erdhi si pasojë e fluturimeve misterioze të dronëve mbi Danimarkë të shfaqura në ditët e fundit. Që nga 22 shtatori, shfaqja e dronëve të paidentifikuar në hapësirën ajrore të këtij vendi ka çuar në mbylljen e disa aeroporteve, por të shtunën u raportua prani dronësh edhe në bazat ushtarake.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen i ka quajtur këto “sulme hibride”. Deri më tani, nuk ka asnjë tregues se kush është përgjegjës për incidentet, ndërsa Rusia ka mohuar çdo përfshirje.
Ministrat e Mbrojtjes nga 10 vende të BE-së kanë rënë dakord të krijojnë një “mur me dronë” në përgjigje të pranisë së dronëve të tillë, ndërsa NATO-ja thotë se ka rritur vigjilencën në të gjithë Baltikun.
Ndalimi i fluturimeve do të mbetet në fuqi deri më 3 tetor dhe shkeljet mund të rezultojnë në gjobë ose burgim deri në dy vjet.
Danimarka aktualisht mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




