Degradon diskutimi në Kuvend- Debate, fyerje dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës
Parlamenti u përfshi nga debate të forta pasditen e sotme, pasi Taulant Balla gjatë fjalës së tij fyeu Albana Vokshin, duke i thënë ‘për ty kam numrin 0900’.
Kuvendi është përfshirë nga debatet, fyerjet dhe përplasjet mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës.
Situata agravoi teksa kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ishte duke folur në foltoren e Kuvendit dhe iu adresua deputetes Albana Vokshit.
“Realisht nuk kishim një numër telefoni tuajin që t’u merrnim në telefon dhe t’ju pyesnim si duhet bërë. Për ty Albana kemi numrin 0900”, tha Balla gjë që më pas solli edhe degradimin e situatës në Kuvend.
Më pas deputetët demokratë u ngritën në këmbë dhe bllokuan foltoren, ndërsa kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike Gazment Bardhi iu adresua Ballës: “Ndyrësirë, i pafytyrë, burrë legen. Kujt i tregon 0900!”
Nga ana e tij, deputeti demokrat Besart Xhaferri kërkoi përjashtimin e Taulant Ballës.
“Kreu i grupit të PS-së që unë ty numrin Albana ta kam me 0900! Balla tha që është numër i BE, mashtroi, është 0800. 0900 edhe në BE përdoret për argëtim erotik dhe ju jeni i paburrë që nuk e përjashtoni”, tha Xhaferri.
Po ashtu deputetja demokrate Jorida Tabaku ka dënuar deklaratat e Ballës, pas fyerjeve ndaj Albana Vokshit.
“Është cenuar dinjiteti i një kolegeje. Ju rrini gjithë ditën mburreni sesi po fuqizoni gratë dhe kështu po i fuqizoni gratë? Kjo që ju bëtë u përplaset në fytyrë fëmijëve e nënave. Unë nuk do e doja që fëmijët e mi të dëgjonin atë shprehje. I bëj thirrje kolegeve socialiste që të mos ndahemi për këtë çështje.
Të bashkohemi dhe të mbështesim një kolege. Dënoni aktin kryetar. Më pas të kërkohet ndjesë ashtu si e meriton zonja, jo të justifikohet. Për opozitën keni marrë masa të menjëhershme, kanë dalë deputetë nga salla. Merrni masa që Vokshi kur të kthehet në shtëpi te vajzat, të mos i thonë ‘pse u tha ajo shprehje’. Kush do e donte këtë në shtëpitë tuaja?”, u shpreh Tabaku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




