Demo: Akademia e Pushtetit Vendor, AFMIS dhe portali unik i shërbimeve, shtyllat e reformës për bashkitë gjatë 2026-ës

Politikë | 9 muaj më parë

Akademia e Pushtetit Vendor, sistemi AFMIS dhe krijimi i një portali unik për shërbimet publike do të jenë tri shtyllat kryesore të fuqizimit të bashkive në vitin 2026. Kështu u shpreh Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, gjatë një konference për media, ku prezantoi nismat kryesore transformuese për pushtetin vendor.

Sipas ministrit Demo, Akademia e Pushtetit Vendor përfaqëson një moment historik, pasi për herë të parë bashkitë do të kenë një strukturë të dedikuar, të fokusuar në nevojat e tyre specifike.

Akademia do të financohet në mënyrë të përbashkët, me 50% të kostove të mbuluara nga bashkitë dhe 50% nga qeveria qendrore, duke garantuar zotërim të drejtpërdrejtë institucional nga vetë pushteti vendor. Ajo do të shërbejë si platformë për ndarjen e praktikave më të mira, për forcimin e kapaciteteve dhe për krijimin e modeleve të qëndrueshme të zhvillimit lokal.

Ministri bëri me dije se trajnimet e para përmes Akademisë pritet të nisin brenda 10-ditëshit të parë të muajit shkurt, ndërsa korniza ligjore dhe struktura organizative janë tashmë të miratuara.

“Është hera e parë që bashkitë do të kenë një strukturë të fokusuar në nevojat specifike që bashkitë kanë.

Është një strukturë që ka një zotërim të drejtpërdrejtë nga ana e bashkive, bashkitë që në fillim të Akademisë financojnë 50% të kostove të Akademisë dhe 50% financohet nga qeveria qendrore.

Akademia do të jetë një platformë ku bashkitë ndajnë me njëra-tjetër praktikat më të mira që kanë konsoliduar në territor.

Në territor kemi bashki të cilat kanë sfida jo të vogla në përmbushje të funksioneve që ato kanë, kanë një performacë të admirueshme për funksionet që ato kanë. Ndarja e eksperiencës dhe krijimi i një platforme  të qëndrueshme përsa i përket modeleve më të mira që bashkitë mund të ndajnë me njëra-tjetrën e bëjnë Akademinë një  instrument shumë të fuqishëm për pushtetin vendor.

Akademia do të kthehet në një hap ku të gjithë partnerët, donatorët, jo thjesht do e mbështesin, por besoj se akademia do ofrojë instrument të qëndrueshme për cilëndo asistencë që ne do kemi në vend për autoritetet lokale.

Për pak ditë, ose brenda 10-ditëshit të parë të muajit shkurt, fillojnë trajnimet e para nëpërmjet Akademisë, kapacitetet janë duke u ngritur, struktura duke u konsoliduar, është marrë miratimi i kornizës rregullative ligjore, do jetë sukses i jashtëzakonshëm dhe instrument që bashkitë do e kenë në krahë për të pasur shërbime më të mira në territor”, deklaroi Demo.

Një tjetër nismë kyçe është AFMIS, sistemi i ri i menaxhimit financiar, i zhvilluar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Ministri bëri me dije se ky sistem do të ofrojë matje më reale të treguesve të performancës së bashkive dhe do të shërbejë si bazë për financime më të targetuara.

Sipas ministrit, AFMIS shkon përtej menaxhimit financiar, duke u kthyer në një instrument strategjik për administrimin e burimeve, rritjen e investimeve në territor, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe kuptimin më të mirë të mënyrës se si bashkitë gjenerojnë të ardhura.

“Ne besojmë se teknologjia do luajë rol të rëndësishëm në fuqizimin institucional të bashkive Ne kemi dy nisma shumë të mëdha, AFMISI është një sistem që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave do ofrojë mundësinë të kemi matje më reale të treguesve. Këto sisteme do na japin mundësi që me kalimin e kohës të kemi më shumë instrumente në dorë për ta bërë  financimin më të targetuar të bazuar dhe në kapacitetet menaxheriale që bashkitë kanë.

AFMISI shkon përtej financave, është një sistem është një sistem menaxhimi i asaj që është një ndër prioritetet kryesore të bashkive, menaxhimi i burimeve financiare mbi të gjitha për të ofruar më shumë investime në territor, për të mbajtur shërbimet në cilësi më të madhe dhe për të kuptuar si bashkia gjeneron të ardhura etj,”, u shpreh ministri.

Demo theksoi gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit të shërbimeve lokale, përmes krijimit të një portali unik që do të integrojë shërbimet në nivel qendror dhe vendor. Ky projekt synon të transformojë përvojën e qytetarëve në marrjen e shërbimeve publike dhe të rrisë transparencën e bashkive.

Sipas tij, bashkitë janë aktorët më të interesuar për krijimin e një shtrati të qëndrueshëm digjitalizimi në nivel lokal dhe implementimi i këtij projekti do të vijë gradualisht.

“Ne kemi një projekt shumë të madh që do jetë transformues për atë që qytetari përjeton në marrjen e shërbimeve lokale, që është digjitalizimi i shërbimeve lokale.

Të kemi një portal unik për të gjitha shërbimet që qytetari kërkon, qoftë në nivel qendror dhe në nivel lokal. Është një projekt që ka filluar dhe besoj se impelementimi kërkon një punë të konsiderueshme por jam i bindur se bashkitë janë aktorët e parë të interesuar për të krijuar një shtrat të qëndrueshëm digjitalizimi në nivel lokal”, theksoi ai.

Në kuadër të aktit normativ të miratuar në Kuvend, ministri Demo deklaroi se bashkitë janë financuar me 1.2 miliardë lekë, të destinuara për uljen e detyrimeve të prapambetura. Ai theksoi se qëndrueshmëria financiare e bashkive është thelbësore për garantimin e shërbimeve cilësore dhe zhvillimin afatgjatë.

“Bashkitë janë financuar me 1.2 mld lekë, që janë fokusuar në uljen e detyrimeve të prapambetura që bashkitë kanë. Qëndrueshmëria financiare e bashkive është shumë e rëndësishme”, përfundoi ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme