Dëmshpërblime, ripyllëzim dhe qendra rajonale/ Vengu: 3.5 mln euro për banorët e prekur nga përmbytjet, kompensim në natyrë për bagëtitë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në një deklaratë për media, bëri të ditur se Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura do të realizojnë disa investime strategjike për të përforcuar kapacitetet e menaxhimit të emergjencave dhe mbrojtjen civile.
Ai theksoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturë, duke theksuar se nuk do të lejohet devijimi i kanaleve nga objekte pa leje. Dy projektet kryesore që do të realizohen janë: rinovimi i flotës së mjeteve tokësore dhe ndërtimi i dy qendrave rajonale në Bushat dhe Krane, për të qenë më pranë zonave me rrezik, veçanërisht gjatë sezonit të zjarreve.
Në lidhje me dëmshpërblimet, ministri Vengu deklaroi se janë realizuar disbursime prej 3.5 milionë eurosh pranë bashkive për banorët dhe objektet e prekura nga zjarret. Ai shtoi se vazhdon puna për paketën e dëmshpërblimeve për bujqësinë, ku bagëtia e dëmtuar apo e ngordhur mund të kompensohet në natyrë.
“Dëmshpërblimet; po vijojmë me dy mënyra, kompensimet për zjarret janë realizuar. Është bërë disbursim pranë bashkive 3.5 mln euro.
Kemi bashki që kishin detyrime të mbartura prej 2021, Kruja, ehe ajo ka gjetur financimin nga qeveria.
Ne kemi vijuar me dëmshpërblimet për objekte, banesa stalla, por duhet të vijojmë me paketën e dëmshpërblimeve kur vjen puna te bujqësia.,
Do bëhet paketë e dedikuar për dëmshpërblim në natyrë, bagëtia e dëmtuar apo e ngordhur për shkak të emergjencave mund të kompensohet në natyrë.
Kompensimi që kemi bërë për bashkitë, 3.5 mln euro, ishin për gjithë banorët, banesat e prekura, objektet e aktivitetit të ushtrimit të një funksioni social”, tha Vengu.
Ministri bëri me dije se do të vijojë bashkëpunimi me Ministrinë e Mjedisit për një plan ripyllëzimi, duke përdorur edhe teknologjinë me dron për të mbuluar një sipërfaqe më të madhe. Ai theksoi se ripyllëzimi është një masë parandalimi efektive ndaj përmbytjeve dhe efekteve të ndryshimeve klimatike dhe se projektet për këtë vit janë të financuara dhe po monitorohen nga institucionet përkatëse.
Vengu gjithashtu përmendi nevojën për një metodologji të saktë të evidentimit të dëmeve dhe reformimin e mënyrës së kompensimit për të adresuar të gjitha shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve.
“Kemi plan me Ministrinë e Mjedisit ripyllëzim me dron që të mbulojmë një masë territori më të madhe.
Ripyllëzimi është parandalimi më i mirë për përmbytjet apo për efekt të klimës. Duhet të vijojmë ta bëjmë këtë vit. Është e financuar si projekt dhe ministria e mjedisit po merr masat përkatëse.
Do vijojmë me reformën e mënyrës si kompensojmë. Konsiderojmë se mund të kemi një metodologji të saktë të evidentimit të dëmeve, ka elemente objekte kulturore ndonjëherë që nuk janë të parashikuara nga dëmet, objektet e kultet, duhet të adresojmë në vendimin e qeverisë që po referojmë dhe këto shqetësime”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




