Dënimi me 16 vite burg i autorit të vrasjes së Martin Canit, aktivistja: Drejtësia për të miturit ka në fokus parandalimin, jo ndëshkimin

Aktualitet | 11 muaj më parë

Gjykata e Tiranës dënoi një ditë më parë me 16 vite burg 15-vjeçarin Mario Përlleshajn, autorin e vrasjes së Martin Canit dhe plagosjen e Luis Meçjas, ngjarje kjo e regjistruar në nëntor 2024 pranë shkollës “Fan Noli”.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Voltiza Prendi, theksoi se në raste të tilla tragjike, dhimbja e familjes së viktimës nuk mund të shuhet me një vendim gjykate, por sistemi i drejtësisë për të mitur ka si qëllim parandalimin e rasteve dhe jo ndëshkimin

“Sipas drejtësisë për të mitur, masat janë parandaluese dhe korrigjuese, jo ndëshkuese me dënime maksimale,” u shpreh Prendi, duke shtuar se në këto situata nuk ka vetëm një familje të lënduar. “Edhe familja e autorit ka humbur dhe është e dëmtuar.”

Në emisionin “Në kohë reale” në RTSH, ajo theksoi se në rrënjë të problemit qëndron mungesa e edukimit dhe e kulturës digjitale në familjet shqiptare. Sipas saj, prindërit shpesh nuk vendosin kufizime të përdorimit të ekranit, çka i ekspozon të miturit ndaj gjuhës agresive dhe përmbajtjeve të rrezikshme online

“Gabim është mungesa e edukimit, ne si prind nuk kemi ditur të edukojmë fëmijën si të jetë i kujdesshëm në rrjetet sociale dhe kjo për shkak se nuk jemi brezi i këtyre rrjeteve. Prindërit nuk  bëjnë reduktim kohor përdorimit të ekranit dhe ai të mos jetë i ekspozuar nga një gjuhë  agresive në rrjete sociale. Familjet e sotme nuk kanë kulturën ndaj digjitalizimit dhe nuk di si ta mbrojë dhe edukojë në lidhje me rrjete sociale dhe zhvillimin teknologjik”, tha Prendi.

Gazetarja Topalli: Edhe autori është viktimë e kësaj shoqërie

Edhe gazetarja Aida Topalli deklaroi se vendimi i gjykatës është në përputhje me ligjin për të miturit që kryejnë vepra të rënda penale, por shtoi se këto raste janë produkt i dështimit të shoqërisë, institucioneve dhe familjes.

“Drejtësia është vendosur nëse i referohemi ligjit për të miturit që kryejnë vepra të rënda penale. Një minoren sado i ashpër të jetë është i palogjikshëm në veprimet që bën dhe është një tjetër viktimë e kësaj shoqërie. Për mua jo vetëm e institucioneve, por edhe e shoqërisë dhe familjes. Në një vend ku nuk ka përpalljes të fortë kulturash nuk duhet të ketë përplasje të tillë dhe kjo vjen për shkak të mungesës së vëmendjes fillimisht nga familja dhe rrjetet sociale”, tha gazetarja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme