Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës, PDK: Krizë institucionale dhe ekonomike. LVV: Bllokadë absurde

Kosovë | 1 vit më parë

Mazhoranca dhe opozita në Kosovë kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella për bllokimin e Kuvendit, pas dështimit të 26-të me radhë për konstituimin e institucioneve.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, tha se Kosova ndodhet në një krizë institucionale dhe ekonomike, dhe se është koha që të vihet qytetari në qendër të vendimmarrjes politike.

 “Sot dështuam sërish të konstituojmë institucionet. Vendi është në krizë, ekonomia është në krizë. Është momenti të mendojmë për qytetarin më shumë se për vetveten. Fatkeqësisht, seanca u kurdis për të akomoduar nevojat e deputetëve e jo të qytetarëve,” u shpreh Çitaku.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, akuzoi opozitën për bllokimin e themelimit të një komisioni parlamentar që do të mundësonte votimin e fshehtë. Ai tha se kjo sjellje është e pajustifikueshme dhe absurde.

“Kuvendi ka pasur bllokadë edhe më parë, por me kauzë. Ne kemi bllokuar për të ndalur ‘Zajednicën’ dhe Gjykatën Speciale. Tani po bllokohet për Albulenën, e cila vetë i ka kundërshtuar këto. Kjo është absurde,” tha Basha.

Nga 111 deputetë të pranishëm në seancë, vetëm 53 votuan pro dhe 1 kundër për të miratuar formimin e komisionit për votimin e fshehtë. Seanca e radhës është caktuar për 5 qershor në orën 11:00

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme