Dështon sërish seanca, nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës sërish nuk ka mundur të konstituohet, ku ngërç mes partive duket se është propozimi nga Lëvizja Vetëvendosje i Albulena Haxhiut si kryeparlamentare.
Partitë nuk kanë gjetur dakordësi, ku në votimin e kësaj të shtune, 3 maj, Haxhiu mori 54 vota pro dhe 1 kundër, ndërsa deputetët e tjerë nuk morën fare pjesë në votim. Seanca e radhës do të mbahet ditën e hënë në orën 10:00.
Gjithashtu deputetët nuk ranë dakord që të formohet një komision për votimin e fshehtë për të votuar për kreun e ri të Kuvendit.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Lëvizja Vetëvendosje po tenton të mbajë pushtetin me çdo kusht duke përdorur metoda antikushtetuese.
“Kurti nuk ka vota për t’u bërë kryeministër dhe kjo është arsyeja kryesore që po e mban peng shtetin, po e mban peng Kuvendin. LVV-ja të ndryshojë kandidaten për kryeparlamentare pasi Albulena Haxhiu as në herën e 100-të nuk do të kalojë”, tha Krasniqi.
Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, u shpreh se nuk do të votojnë për kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ne nuk do të votojmë dhe nuk do të bëhemi pjesë e një shkelje të tillë. Ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiun. E kemi deklaruar që nga fillimi se vota jonë është kundër. Kryetari i parlamentit duhet të zgjidhet me marrëveshje politike dhe kështu do të vazhdojmë përderisa ata nuk reflektojnë”, tha ajo.
Kjo ishte seanca e dhjetë që dështon për konstituimin e Kuvendit, ku përplasjet politike dhe mungesa e konsensusit po krijojnë ngërç politik në vend.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




