Dhuka: BE po diskuton mbi përmbushjen e kushteve. Kalojmë në fazën e mbylljes së 33 kapitujve sapo të marrim vlerësimin
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka në fjalën e saj gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama për të bërë një panoramim të situatës së negociatave me Bashkimin Evropian dhe hapave që do duhet të ndiqen në 19 muajt e mbetur nga objektivi për të qenë gati për kushtet dhe kriteret e anëtarësimit në familjen e madhe europiane.
Dhuka bëri me dije se gjatë muajit mars vendet anëtare po diskutojnë për përmbushjen e kushteve, kryesisht të rendit, sigurisë dhe të drejtat e njeriut. Ajo sqaroi se sapo Shqipëria të marrë vlerësimin pozitiv nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, do të kalojë në fazën e mbylljes së 33 kapitujve.
“Gjatë muajit mars vendet anëtare po diskutojnë çdo javë në lidhje me përmbushjen e kushteve, rendi, siguria dhe të drejtat e njeriut. Nga Shqipëria presim me besim e vlerësim, vlerësimin e vendeve anëtare në javët që vijnë. Jemi të gatshëm të plotësojmë çdo kërkesë të veçantë që mund të vijë nga vendet anëtare në lidhje me reformat e sigurisë dhe drejtësisë. Me të marrë vlerësimin pozitiv nga vendet anëtare, Shqipëria duhet të kalojë në fazën e mbylljes së kapitujve një nga një, 33 kapitujve. Ne kemi filluar punë për mbylljen e kapitujve. Me çeljen e negociatave, BE i ka dhënë Shqipërisë kushtet për mbylljen e negociatave për 31 nga 33 kapituj. Në lidhje me 2 kapituj, rendi dhe drejtësia, këto kushte do jepen Shqipërisë pas miratimit të raportit të piketave të ndërmjetme që është në proces”, deklaroi Dhuka.
Kjo e fundit shtoi se Shqipëria është proaktive, arsye kjo edhe përse arrin në kohë rezultate e reformave.
Ajo theksoi se ka ende shumë punë për të bërë deri në mbylljen e negociatave në fund të 2027-ës dhe në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE brenda 2030-ës.
“Shqipëria ecën në hapa të sigurt, në rrugën drejt familjes europiane, si nga përgatitja teknike dhe nga vullneti politik të reformave dhe angazhimit të qeverisë dhe institucioneve. Shqipëria ka marrë mbështetjen e BE. Megjithatë shumë punë është ende për t’u bërë deri në fund të dekadës ku aspirojmë të kemi përmbushur kriteret për të qenë pjesë e familjes së BE-së.
Ritmi është i rëndësishëm të ruhet për qëllimin që kemi. Punë konsistente për kushtet e ndërmjetme paralelisht me kushtet e negociatave. Kushtet e ndërmjetme janë kërkesa të veçanta reformash, arritjesh kryesish për sigurinë dhe rendin, drejtësinë, të drejtave të njeriut”, përfundoi Dhuka.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




