“Dhuro jetë për festa”, studentë e pedagogë të Shkodrës dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë

Aktualitet | 11 muaj më parë

“Dhuro jetë për festa” ishte motoja e seancës së radhës të dhurimit të gjakut në ambientet e Universitetit të Shkodrës. Aktiviteti u organizua nga dega e Kryqit të Kuq në bashkëpunim me organizatën “Eko Mendje”.

Mbi 30 studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja iu bashkuan kësaj nisme humanitare, duke dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve që vuajnë nga talasemia.

Gjatë këtij viti, në Shkodër janë zhvilluar disa aktivitete të tilla, ku promotorët kryesorë të dhurimit të gjakut kanë qenë të rinjtë, veçanërisht studentët.

“Për vitin 2025 deri tani kemi realizuar mbi 25 seanca dhurimi të gjakut, pa përfshirë dhurimet sporadike që bëhen pranë Spitalit Rajonal të Shkodrës,” tha Vera Gjinaj, Koordinatore e Kryqit të Kuq Shkodër.

“Kemi menduar që të sensibilizojmë sa më shumë njerëz, që edhe në prag festash mund të dhurosh jetë. Kjo nuk është vetëm për të ndihmuar fëmijët talasemikë, që është më kryesorja, por edhe një lloj mesazhi për të krijuar sa më shumë vullnetarë për dhurimin e gjakut,” tha Mirsad Basha, Drejtues i organizatës “Eko Mendje”.

Sipas specialistëve, nevoja për gjak, veçanërisht për pacientët talasemikë, është e vazhdueshme. Për këtë arsye, apeli për dhurim mbetet i hapur për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të japin kontributin e tyre në shpëtimin e jetëve.

Gazetar: A.Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme