Digjet tërësisht tregu i ish-Uzinës Dinamo, tregtarët: Miliona euro dëme, bizneset nuk i kishim të siguruara
Beteja më shumë se pesë orëshe e mbi 72 efektivëve dhe 13 automjeteve të Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, Vorës, Kamzës, Elbasanit dhe ushtrisë, nuk mjaftoi për shuarjen e zjarrit te tregu i ish-Uzinës Dinamo.
Në orët e para të mëngjesit një vatër zjarri u aktivizua, ndërsa shtëllunga e tymit vijoi për disa orë.
Tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre prej vitesh pretendojnë se ndërhyrja ishte e vonuar, ndërsa theksojnë se bizneset nuk i kishin të sigurura.
“Si mund të shuhet zjarr me ujë? Ky ishte treg industrial dhe tregu kishte kartona, dru dhe tekstile. Për shuarjen e një zjarri të tillë duhet pluhur. Zjarrfikësit nuk kishin ujë. Vlera pa fund, mund të shkojë mbi 1 milion euro,” tha një tregtare.
“Unë kam pasur dyqanin më të vogël këtu, dhe dëm më shumë se 200 milion lekë. Dyqanet ishin të pasigurta, nuk na siguronte askush. Kemi shkuar tek sigurimet, por nuk e merrnin përgjegjësinë,” shprehet një tregtar.
Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur punën për zbardhjen e shkakut të këtij zjarri, i cili dogji tërësisht tregun, ndërsa përmes kamerave të sigurisë është përftuar video që tregon momentin e përhapjes së zjarrit, i cili nisi brenda dyqaneve.
Tregu kishte dy kapanone dhe në total 50 magazina produktesh industriale, të cilat furnizonin tregtarë nga të gjitha qytetet e vendit.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




