Dikur luheshin ndeshje Champions-i, sot Donetsk Arena është kthyer në një gërmadhë

Futboll Bota | 53 minuta më parë

Fotografitë e siguruara nga mediet britanike kanë nxjerrë në pah gjendjen e rëndë dhe të trishtueshme të stadiumit të Shakhtar Donetsk-ut në Ukrainë.

Shakhtari u transferua në “Donbass Arena” në vitin 2009, stadium që shërbeu si një nga vendet kryesore të zhvillimit të ndeshjeve për “Euro 2012”, por tani situata është krejt ndryshe pasi nuk është luajtur asnjë ndeshje futbolli që nga viti 2014.

Kjo situatë erdhi fillimisht si pasojë e shpërthimit të agresionit rus në rajonin e Donbasit në atë vit, gjë që e detyroi Shakhtarin të luante në qytete të ndryshme anembanë Ukrainës gjatë periudhës në vijim.

Pas fillimit të luftës mes Ukrainës dhe Rusisë në vitin 2022, Shakhtari i ka zhvilluar ndeshjet e tij evropiane jashtë vendit, duke u pritur nga shtete si Polonia, Gjermania dhe Sllovenia.

Këtë herë, Shakhtari do të luajë në stadiumin “Stamford Bridge” të Chelseat në kuadër të Ligës së Kampionëve dhe para ndeshjes së parë “në shtëpi” kundër AEK-ut të Athinës, publikut i është kujtuar qartësisht situata e vështirë që po kalon klubi.

Në fotografitë e realizuara nga Yuriy Butusov dhe të shpërndara në kanalin e tij në Telegram, duket qartë degradimi i stadiumit “Donbass Arena”.

Stadiumi është dëmtuar rëndë dhe në pjesën e jashtme të tij mungojnë panele të ndryshme.

Kjo bën që kalimtarët të mund të shohin brenda stadiumit për shkak të shkatërrimit, ndërkohë që janë shfaqur shenja ndryshku dhe çngjyrosjeje.

Zona përreth stadiumit është gjithashtu e mbuluar nga bimësia e dendur, në një fotografi duken barëra të gjata dhe bimë të egra.

Një pjesë tjetër është rrethuar me shirit paralajmërues dhe një tabelë ku shkruhet: “MOS ECNI MBI BAR! KUJDES! MUND TË KETË OBJEKTE SHPËRTHYESE”.

Në fotografi nuk shihet asnjë njeri, zona përreth është praktikisht e shkretë për shkak të luftës.

Pavarësisht sfidave të mëdha me të cilat përballet Shakhtari, ata vazhdojnë të tregojnë një frymë të jashtëzakonshme. Klubi, i drejtuar tashmë nga ish-ylli i Barcelonës, Arda Turan, fitoi Premier Ligën të Ukrainës sezonin e kaluar.

Ata arritën gjithashtu në gjysmëfinalet e Ligës së Konferencës, ku u mundën nga Crystal Palace.

Duke folur para ndeshjes së tyre të parë në Ligën e Kampionëve, drejtori ekzekutiv i klubit, Sergei Palkin, foli për zhvendosjen e tyre në Angli, rreth 2.000 km (1.243 milje) larg bazës së tyre aktuale në Kiev, i cili ndodhet 370 milje larg Donetskut.

“Vendosëm të shkojmë në Angli sepse këtu jetojnë shumë refugjatë ukrainas dhe shumë ukrainas të tjerë”, shpjegoi Palkin zgjedhjen e bërë. Ekipi ukrainas pret AEK-un e Athinës, Sportingun e Lisbonës, Fenerbahçen dhe Real Madridin. A.V.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme