Milanisti Tresoldi, 3 gola Interit dhe dyshimi për kombëtaren: Kam folur me Mancini-n dhe Klopp

Futboll Bota | 1 orë më parë

Sulmuesi i Bruges ishte mjaft i emocionuar pas tripletës në “San Siro”. Ishte një natë e çmendur për të. Të ardhmen e kaloi me një batutë: Duhet të fitoj Europianin me Gjermaninë, pastaj të shohim!

Nicolò Tresoldi, ylli i Bruges, e imagjinonte një natë si ajo e djeshmja ndaj Interit, ndoshta me fanellën e Milan-it, pranë idhullit Pippo Inzaghi, njëri me 7-ën dhe tjetri me 9-ën. Tani gjithçka është e vërtetë: tripleta e Champions-it në “San Siro” nuk harrohet kurrë.

Tresoldi e ka bërë si një tifoz i Milan-it. “Milanistët me kishin karikuar me mesazhe. I bëmë presion Interit që në fillim, nuk e lamë të merrte frymë. Për mua ishte si një derbi. Ishte një mbrëmje e çmendur, një ëndërr. Gjithçka para familjes sime, miqve, ende nuk e besoj”, – u shpreh Tresoldi.

Pas ndeshjes ai u shtri në fushën e “San Siro”-s dhe shihte tribunat me sytë që i shkëlqenin. Tresoldi ka këtë natyrë: i sinqertë, i pastër, gjithmonë i buzëqeshur. Në Itali ka luajtur vetëm 10 vjet më parë, sezonin 2016-17, 12 gola me të rinjtë e Fontanelle, skuadër e Gubbio-s.

Tresoldi ka shënuar 9 gola në 11 ndeshje sezonale, është kampion në fuqi i Belgjikës dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit të fundit. Në fëmijëri është “injoruar” nga Milan, Juventus, Bologna, Fiorentina, Atalanta dhe shumë klube të tjera.

Në 2017-ën u transferua në Hannover për shkak të punës të nënës së tij. Në Gjermani – 16 gola në 26 ndeshje me U-21 – është formuar si njeri dhe si futbollist. I hapën dyert që në Itali ia mbyllën. Tani duhet të bëjë një zgjedhje për jetën sportive: Italia apo Gjermania?

“Kam folur me trajnerët Klopp dhe Mancini – tregon sulmuesi me trofeun e lojtarit të ndeshjes në duar, – ua kam shpjeguar qëndrimin tim. Tani dua të argëtohem me U-21, pastaj të shohim. Kemi një Europian që duhet të fitojmë, si ai që babai im ka fituar me Italinë”.

Pas mbrëmjes së djeshme ndaj Interit, Mancini dhe gjithë italianët shpresojnë që Tresoldi të zgjedhë “axurrët”.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme