Dogjani: Protokollet u shpërfillën, arratisja e Ndoci nuk është rastësi
Arratisja e të dënuarit Altin Ndoci nga spitali i burgut në Durrës ka qenë në qendër të diskutimeve në emisionin “Trialog” në RTSH, të moderuar nga Alba Alishani.
Ish-deputeti Asllan Dogjani e cilësoi ngjarjen si një skenar të mirëorganizuar dhe jo si një rastësi të thjeshtë.
Dogjani theksoi se Ndoci, i akuzuar për disa vepra të rënda penale, përfshirë vrasje dhe pjesëmarrje në grupe kriminale, përbën një rrezik të lartë për shoqërinë.
“Kjo është një skenë e mirëfilltë e organizuar mes grupeve kriminale dhe elementëve të korruptuar brenda sistemit të burgjeve. Nuk mund të konsiderohet thjesht një ngjarje e rastësishme,” u shpreh ai.
Sipas ish-deputetit, fakti që një person i tillë ka mundur të largohet nga spitali i burgut tregon për neglizhencë të qëllimshme dhe jo thjesht mosrespektim të protokolleve.
“Protokollet janë të qarta, një i dënuar i rrezikshëm nuk duhet të lihet asnjë moment pa pranga. Madje, kur akuzohet për vrasje të shumta, rregullorja lejon edhe përdorimin e zinxhirëve. Në këtë rast, mosrespektimi i masave nuk lidhet me mungesë kujdesi, por me tolerim të qëllimshëm,” tha Dogjani.
Ai shtoi se kjo ngjarje duhet të shërbejë si alarm për institucionet, duke kërkuar një analizë të thellë mbi gjendjen e burgjeve shqiptare dhe lidhjet e mundshme mes strukturave kriminale dhe korrupsionit në sistemin penitenciar.
“Nëse analizojmë mënyrën se si ka ndodhur arratisja, kuptojmë se problemi është më i madh se një rast i izoluar. Duhet të shohim çfarë po ndodh realisht në burgjet tona,” përfundoi Dogjani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




