Dosja “Veliaj”/ Shtyhet për në 5 janar seanca paraprake në GJKKO, kryebashkiaku largon avokatin Gjermeni

Është shtyrë për në 5 Janar seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për dosjen “Veliaj”. Shkak i shtyrjes së kësaj seance ku pritej të vendosej nëse dosja do të kalonte për gjykim, apo do të rikthehej në SPAK për hetime të mëtejshme, është bërë largimi i Artan Gjermenit, avokatit mbojtës të Kryebashkiakut, nga ky i fundit.
Vendimi i Veliajt për largimin e avokatit, erdhi pas rrëzimit të kërkesës nga GJKKO për mosqendrimin e tij në kafaz gjatë seancave gjyqësore. Në këto kushte, Gjykata i caktoi Veliajt si avokat kryesisht Valentina Teodoreskun.
Gjatë seancës së sotme ka bërë mbrojtjen biznesmeni Shkëlqim Fusha, ndërsa nuk kanë dhënë ende argumentet mbrojtës Kryebashkiaku Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa. Ata kanë kërkuar vënien në dispozicion të akteve të dosjes.
Në seancën e sotme, kryebashkiaku Veliaj ka qenë i pranishëm deri në përfundim të saj.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025. Ai akuzohet për përfshirje në disa raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe disa ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Tiranës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




