Drejtori i EBU vizitë në RTSH, Noel Curran: Mbështetje maksimale për reformimin e medias publike     

Aktualitet | 8 muaj më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Unionit Europian të Transmetuesve Publikë, Noel Curran vizitoi RTSH-në, ku u takua me Drejtoreshën e Përgjithshme Eni Vasili dhe u njoh me situatën komplekse që po kalon media publike.

Vizita vjen në një kohë kur EBU është e angazhuar për të mbështetur RTSH-në në reformimin e thellë të institucionit. Gjatë një takimi edhe me drejtuesit e departamenteve, drejtuesi më i lartë i EBU-së tha se ishte njohur me raportin e grupit te punës së ekspertëve të EBU-së ku pasqyrohej me detaje gjendja aktuale e institucionit.

Ai tha se sfidat që ka sot transmetuesi publik shqiptar janë të njëjtat me mediat e tjera publike europiane, por nënvizoi se RTSH po përballet me sfida shumë herë më të vështira dhe akute. Kjo, sipas tij lidhet edhe me faktin se RTSH ka buxhetin më të ulët sesa të gjithë televizionet publike të EBU-së dhe se teknologjia është tejet e prapambetur.

Noel Curran garantoi se si drejtues i EBU-së, gjatë takimeve me faktorë politikë të brendshëm por edhe të Bashkimit Europian, do të  kërkojë angazhimin e tyre në përmirësimin e situatës financiare, transformimin dhe rimëkëmbjen e RTSH-së.

Curran theksoi se asistenca e EBU do të konsistojë në dy drejtime: lokal dhe ndërkombëtar, ndërsa tha se do të informojë institucionet e Bashkimit Europian në lidhje me situatën dhe problematikën që ka sot RTSH.  

Ai nënvizoi se EBU është e përkushtuar për të ushtruar presion mbi politikën vendase që të përkrahë median publike, në tejkalimin e krizës dhe të ndihmojë në modernizimin e saj.

“Në këtë rrugëtim të vështirë, RTSH nuk është vetëm, EBU do të jetë krah jush në çdo hap”, theksoi  drejtori i përgjithshëm i EBU.

Ndërsa përgëzoi Drejtoreshën e RTSH Eni Vasili për vendimin dhe iniciativën e saj të guximshme për të transformuar RTSH, Noel Curran tha se ky proces nuk do të jetë i lehtë apo i shpejtë, përkundrazi do të jetë i gjatë dhe do të shoqërohet me shumë vështirësi.

Transformimi, tha Curran, është një zgjidhje shumë e vështirë, por nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara. Po ashtu ai nënvizoi se ky transformim nuk përfundon kurrë pasi bota dhe teknologjia janë në një ndryshim të përditshëm. 

Përveç teknologjisë së vjetruar dhe buxhetit shumë të ulët, Noel Curran nënvizoi se RTSH duhet të forcojë marrëdhënien me audiencen në mënyrë që të mbijetojë në këtë treg shumë të vështirë mediatik. Ai tha se mungesa e një matësi të pavarur të audiencës penalizon RTSH. Por edhe për këtë çështje ai u shpreh se do të diskutojë për një zgjidhje me drejtuesit e EBU-së. 

Gjatë vizitës në RTSH, Drejtori i përgjithshëm i Unionit Europian të Transmetuesve Publikë, Noel Curran zhvilloi një takim edhe me këshillin drejtues. Gjatë takimit, anëtarët e këshillit u njohën me bashkëpunimin e nisur mes EBU-së dhe RTSH për reformimin e institucionit. Drejtori Curran theksoi se RTSH ka mbështetjen maksimale të EBU për këtë proces dhe se mbështetja do të jetë jo vetëm në zbatimin e reformës, por edhe në teknologji, programacion si edhe në digjitalizimin e arkivës.

Nga ana e tyre, anëtarët e këshillit drejtues i shprehën drejtorit të EBU-së se ata përkrahin çdo iniciativë të drejtoreshës së përgjithshme për çdo hap që do të ndërmerret në kuadër të transformimit dhe përmirësimit të RTSH si media publike.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i EBU bashkë me Drejtoreshën e RTSH, Eni Vasili u takuan edhe me kryeministrin Edi Rama të cilit i përcolli  shqetësimet për situatën e medias publike. Një tjetër takim në këtë kuadër Curran pati edhe me ambasadorin e OSBE në Shqipëri Mischel Tarran.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme