Drita-Shkëndija në RTSH, Ramadani: Ndeshja më e vështirë në arenën ndërkombëtare

Një derbi shqiptar në Conference League. Drita e Gjilanit do të përballet me Shkëndijën e Tetovës të enjten në mbrëmje (ora 21:00) në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, në një sfidë të vlefshme për turin e katërt të fazën së ligës në Conference League.
Kjo përballje që vjen në prag të festave të nëntorit do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Trajneri i skuadrës nga Gjilani, Zekirija Ramadani, ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe duke theksuar se kjo do të jetë ndeshja më e vështirë e Dritës në arenën ndërkombëtare.
“Kemi presion. Luajmë para tifozëve tonë. Është ndeshja më e vështirë që e kemi pasur në arenën ndërkombëtare. Patjetër që besoj te ekipi, është mirë që i gjithë grupi është në dispozicion, përveç Mesas, që do të mungojë edhe një kohë të gjatë.
Vijmë nga një fitore në Dublin, atje ku shkuam me shumë mungesa, pa katër sulmues. Morëm rezultat pozitiv, por do të jetë më vështirë se në Dublin.
Kam besimin tek ekipi im duke u bazuar te stërvitjet që kemi bërë. E kemi bërë analizën, i kemi shpërndarë gjitha informatat, ekipi nesër do të jetë super i motivuar”, ka thënë mes të tjerash Ramadani.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




