Dy protesta kombëtare në Tiranë, studentët para Ministrisë së Arsimit dhe PD para Kryeministrisë

Aktualitet | 1 orë më parë

Në Tiranë janë paralajmëruar këtë të shtunë, 31 tetor, dy protesta kombëtare: njëra para Ministrisë së Arsimit, e organizuar nga studentët, pedagogët dhe të rinjtë, dhe tjetra nga Partia Demokratike.

Protesta e studentëve vijon përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, ndërsa ata kanë refuzuar ftesat për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre duhet të plotësohen përpara nisjes së çdo procesi negociues.

Ndërkohë, kreu i qeverisë ka përsëritur edhe sot ftesën për dialog, duke i ftuar studentët të zhvillojnë një takim përpara Kryeministrisë.

Sipas raportimit të gazetares së RTSH-së, Keti Toroveci, situata para Ministrisë së Arsimit paraqitet e qetë, ndërsa protestuesit pritet të ndahen në dy grupe.

“Situata është e qetë për momentin. Në orën 12:00 studentët dhe pedagogët do të mblidhen para Ministrisë së Arsimit, ndërsa një pjesë tjetër e protestuesve do të mblidhen para Kryeministrisë. Bëhet fjalë që kjo pjesë do të mblidhet në orën 14:00”, u shpreh gazetarja.

Ndërkohë, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga selia e Partisë Demokratike, gazetarja Anisa Kadesha raportoi se kjo forcë politike ka thirrur protestën e dytë kombëtare në mbështetje të studentëve, të cilët shënojnë ditën e 19-të të protestës së tyre.

Sipas gazetares, PD do të angazhohet në mbrojtje të kauzës së saj, duke marshuar drejt bulevardit. Gjithashtu, pritet që protestuesit e Partisë Demokratike t’i bashkohen protestës së studentëve përpara Ministrisë së Arsimit.

“Partia Demokratike ka thirrur protestën e dytë kombëtare sot, në mbështetje të protestës studentore, e cila shënon dhe ditën e 19-të të saj. Sipas PD-së, kjo forcë politike do të angazhohet në mbrojtje të kauzës së saj, duke marshuar drejt bulevardit. Pritet që protestuesit e PD-së t’i bashkohen edhe protestës studentore te Ministria e Arsimit”, u shpreh gazetarja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme