Dy shtëpi të djegura, ullishte dhe koshere bletësh të shkrumbuara, çfarë la pas zjarri në Levan të Fierit
Toka të nxira, ullishte të shkrumbuara, pemë frutore të djegura dhe dy banesa të dëmtuara. Kjo është panorama që ka lënë pas zjarri në Levan të Fierit.
Zjarri është shuar në zonën e pyllit të Levanit, megjithëse aty vijojnë të shfaqen vatra të vogla, të cilat po monitorohen dhe po neutralizohen nga forcat në terren.
Ndërkohë, fokusi i ndërhyrjes është zhvendosur te kodrat e Frakullit, ku zjarri vijon të jetë aktiv. Terreni i vështirë dhe mungesa e aksesit për mjetet zjarrfikëse e kanë komplikuar ndërhyrjen, ndërsa për shuarjen e flakëve po punohet edhe nga ajri.
Nga zjarri janë djegur dy banesa, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe sipërfaqe me ullishte dhe pemë frutore. Dëme janë shkaktuar edhe në një biznes me koshere bletësh, i cili është shkrumbuar nga flakët.
Zjarri nisi ditën e djeshme në zonën e Fermë Çlirimit dhe, i favorizuar nga era e fortë, u përhap me shpejtësi drejt Radostinës dhe fshatrave përreth, duke përfshirë një territor të gjerë.
Aktualisht, një prej vatrave më problematike ndodhet në masivin me pisha pranë Frakullit, ku në terren janë angazhuar rreth 90 trupa të Forcave të Armatosura, nga Reparti i Poshnjës dhe Tiranës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




