Dyshohet se shkaktuan flakët në Ishëm dhe Shijak, 3 të arrestuar

Aktualitet | 2 muaj më parë

Tre persona janë arrestuar, pasi dyshohen se janë përgjegjës për dy raste të veçanta zjarrvënieje në Ishëm dhe Shijak.

Në lidhje me zjarrin në fshatin Ishëm, policia ka arrestuar Ilir R., 48 vjeç, dhe Reshit J., 59 vjeç, të dy banues në Sukth.

Sipas hetimeve, dy personat ndodheshin në banesën e një shtetasi në Ishëm dhe po prisnin tuba hekuri me gur fresibël. Dyshohet se shkëndijat e krijuara gjatë punës kanë shkaktuar zjarrin në një sipërfaqe toke bujqësore.

Flakët më pas janë përhapur me shpejtësi në zonën përreth, duke përfshirë dhjetëra hektarë tokë, qindra pemë frutore dhe ullinj.

Ata u arrestuan në flagrancë dhe akuzohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Ndërkohë, një tjetër rast është regjistruar në fshatin Rreth të Shijakut, ku është arrestuar Shaban D., 44 vjeç.

Domi dyshohet se ka ndezur zjarr në zonë, duke shkaktuar djegien e telave të rrjetit elektrik dhe sipërfaqeve me bimësi. Për këtë rast, ndaj tij rëndon akuza për “Shkatërrimin e rrjetit elektrik”, krahas veprës së shkatërrimit të pronës me zjarr.

Materialet për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme