E reja nga Elbasani që jeton me artin e rruazave, krijon punime artizanale origjinale, nga çantat te buqetat
Në qytetin e Elbasanit, Arsi Preçi, një vajzë e re, ka gjetur forcën dhe frymëzimin te punimet me rruaza.
Fillimisht krejt rastësisht, sot ky pasion është kthyer në profesion që mbështet familjen e saj.
Çdo çantë kërkon përkushtim të plotë dhe orë të gjata pune, shpesh deri në 24 orë pa pushim, ku çdo rruazë vendoset me kujdes e durim, duke e shndërruar në një vepër arti që tërheq klientët.
“Nuk është se më ka kushtuar shumë kohë që ta mësoj si profesion. Më ka zgjatur diku te dy net, dy net pa gjumë ‘nga inati që pse mos ta bëj edhe unë’. Ishte diçka e bukur,” kujton artizania.
Përveç çantave, ajo ka zgjeruar krijimtarinë edhe me buqeta lulesh, duke i dhënë një dimension të ri punës së saj.
“Është pak e vështirë, sepse unë kam tre punë që bëj njëherësh. Përpos buqetave dhe çantave unë bëj edhe thonjtë. Përpos pjesës së familjes, është e vështirë që t’i përballosh të gjitha si një person i vetëm,” thotë ajo.
Në një kohë kur shumë të rinj përballen me papunësi ose kërkojnë mundësi jashtë vendit, historia e Arsi Preçit tregon se pasioni dhe këmbëngulja mund të kthehen në sukses.
Me krijimet e saj, ajo jo vetëm i jep ngjyra ditëve të saj dhe familjes, por frymëzon edhe të tjerët të mos heqin dorë nga ëndrrat.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




