EBU thirrje Kuvendit: Bëni një akt për digjitalizimin e arkivit të RTSH, domosdoshmëri për ruajtjen e trashëgimisë kombëtare

Aktualitet | 1 orë më parë

Drejtuesja e EBU-së për Marrëdhëniet me Anëtarët për Evropën Qendrore dhe Lindore, Radka Betcheva, gjatë fjalës së saj në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ka kërkuar mbështetje për digjitalizimin e arkivit të Radio Televizionit Shqiptar, duke e cilësuar atë si një çështje që lidhet jo vetëm me trashëgiminë e transmetuesit publik, por me trashëgiminë kombëtare. Betcheva u bëri thirrje institucioneve shqiptare që të ndërmarrin hapa konkretë për ruajtjen dhe digjitalizimin e materialeve arkivore të RTSH-së.

Bëni një akt për të mbështetur digjitalizimin e arkivit. Çekia e ka bërë vite më parë dhe atje e kanë gjithçka të digjitalizuar dhe shijojnë kulturën dhe identitetin e tyre”, deklaroi Betcheva.

Ajo theksoi se procesi do të ishte shumë sfidues nëse do të realizohej vetëm nga RTSH-ja, duke nënvizuar nevojën për mbështetje institucionale.

“Nëse RTSH do ta kryente vetëm, do të ishte sfiduese. Ka materiale që janë duke u prishur nga vitet dhe, nëse do të humbisnin ato, do të ishte diçka e turpshme”, u shpreh përfaqësuesja e EBU-së.

Sipas Betchevës, ruajtja e arkivit të RTSH-së duhet parë në një perspektivë më të gjerë, pasi materialet e tij dokumentojnë pjesë të rëndësishme të historisë, kulturës dhe identitetit të Shqipërisë. “Nuk ka të bëjë me trashëgiminë e RTSH-së, por me trashëgiminë kombëtare”, theksoi ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme