Egnatia-Shamrock Rovers në RTSH/ Kampionët e Shqipërisë, sot për përmbysjen historike

UEFA Europa League | 3 muaj më parë

Sfida e kthimit për turin e tretë kualifikues të Europa League mes Egnatias dhe irlandezëve të Shamrock Rovers vjen sot (ora 21:00) drejtpërdrejt në ekranin e RTSH. Kampionët e Shqipërisë do të zbresin në fushë me misionin e përmbysjes së madhe, pasi ndeshjen e parë e kanë humbur 3-1.

Për rrogozhinasit duhet një fitore me të paktën dy gola diferencë, që kualifikimi të diskutohet më pas në kohën shtesë. Nëse ia del të përmbysë gjtihçka sot në fushën e saj, Egnatia do të shëonte një arritje historike jo vetëm për atë si klub.

Një kualifikim i mundshëm sot do të thotë sigurim i fazës së grupeve të Conference League për kampionët në fuqi të Shqipërisë, edhe nëse eliminohen në Play-off-in e Europa League. Gjithmonë nëse eliminojnë Shamrock Rovers sot, rrogozhinasit do të ndeshen me norvegjezët e Lilestrom në turin tjetër të Europa League.

Por edhe në rast eliminimi, skuadra e trajnerit Nevil Dede ka shanse për të vazhduar në Europë. Egnatia në këtë rast do të zbriste në Play-off-in e Conference League, ku do të ndeshej me humbësin e çiftit KuPS (Finlandë)-Universitatea Craiova (Rumani) për të diskutuar hyrjen në fazën e grupeve. Ky fakt ndoshta e largon sadopak presionin në radhët e kampionëve.

Për ndeshjen e sotme trajneri Dede duhet të bëjë ndonjë lëvizje në prapavijë, pas largimit të Arbenit Xhemajlit. Gjasat janë që të kthehet titullar kapiteni Albano Aleksi, ndërkohë një mungesë me peshë mbetet ajo e sulmuesit Bakajoko, i dëmtuar rëndë në ndeshjet e mëparshme europiane.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme