Ekonomiku ndër më të kërkuarit në Shkodër, mbi 70% e kuotave të plotësuara në fazën e parë
Pas përfundimit të fazës së parë të regjistrimeve në universitete, degët e Fakultetit Ekonomik rezultojnë ndër më të kërkuarat në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Sipas dekanes së këtij fakulteti, në këtë etapë të parë janë realizuar mbi 70% e kuotave të lira, ndërsa numri i studentëve të regjistruar shënon një rritje të dukshme krahasuar me vitin e kaluar.
“Krahasuar me një vit më parë, regjistrimet që janë realizuar në fakultet janë 15% në rritje. Degët renditen me radhë: administrim biznesi, financë, kontabilitet. Në fazën e parë, realizimi i kuotave në dy departamente ka shkuar deri në masën 75%. Në departamentin tjetër është më mirë, se ajo është mbyllur në raundin tjetër. Megjithatë, pa u përmbyllur edhe dy raundet e tjera, atëherë do të flasim edhe me shifra konkrete“, tha Prof.As.Dr Elidiana Bashi, Dekane e Fakultetit Ekonomik UNISHK.
Për t’ju përgjigjur kërkesave të tregut të punës, Fakulteti Ekonomik ka zgjeruar ofertën akademike për këtë vit me programin e ri “Business Administration” në nivelin Bachelor, i cili do të zhvillohet tërësisht në gjuhën angleze.
Ky program synon jo vetëm maturantët vendas, por edhe studentët ndërkombëtarë.
Aktualisht, Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Shkodrës numëron afro 1,000 studentë aktivë në të tria degët e tij, ku përveç nivelit Bachelor ofrohen edhe disa programe Master Shkencor e Profesional, si dhe studimet e doktoraturës në degën e Turizmit.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




