Ekspozitë për xhamitë e shkatërruara, dokumentohet shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe Bosnjë

Kosovë | 11 muaj më parë

Bashkësia Islame e Kosovës dhe ajo e Bosnjës dhe Hercegovinës kanë hapur ekspozitën “Kujtesa në fotografi, xhamitë e shkatërruara gjatë viteve ’90 sakralocid i planifikuar”. Ekspozita dokumenton shkatërrimin e 832 xhamive, prej të cilave 218 në Kosovë dhe 614 në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se këto sulme ndaj trashëgimisë kulturore janë cilësuar si krim kundër njerëzimit nga Tribunalet e Hagës.

“……..në periudhën 1998–1999 janë shkatërruar 1 mijë e 788 monumente të trashëgimisë kulturore; janë grabitur mbi 3 mijë e 724 objekte muzeale dhe janë shkatërruar 175 biblioteka publike me mbi 1.7 milion libra… Kjo ekspozitë, e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe e Bosnjë e Hercegovinës, ka një rëndësi të veçantë sepse dokumenton qartë dhe bindshëm shkatërrimin e trashëgimisë fetare dhe kulturore si pjesë e një strategjie të qëllimshme për fshirjen e identitetit kulturor dhe historik të popullit tonë”, tha Kurti.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërrnava, nënvizoi se Serbia ndërmori një fushatë të gjerë për shkatërrimin e objekteve fetare dhe kulturore, duke përfshirë xhamitë me vlera historike dhe arkitekturore. Ai tha se forcat serbe synonin të fshinin çdo gjurmë të pranisë shqiptare dhe boshnjake në rajon.

I dërguari i Bashkësisë Islame të Bosnjës, Remzija Pitic, shtoi se shkatërrimi i xhamive nuk ishte rezultat i individëve të dehur, por një politikë e qëllimshme nga nivelet më të larta. Pitic theksoi se objektivat ishin simbolika fetare më e fuqishme dhe pjesë e një projekti sistematik.

Ekspozita ka rëndësi sepse dokumenton dëmin dhe hap rrugën për kërkesat për drejtësi dhe kompensim.

Kurti u pyet nga mediat për tërheqjen e komunave veriore nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, por nuk ka dhënë përgjigje.

Ky event ngre kujtesën dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm.

Gazetare: Artur Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme