Elektrifikimi i hekurudhës Tiranë–Durrës dhe lidhja me Rinasin, ratifikohet marrëveshja e huas me BERZH prej 11.6 milionë eurosh

Ekonomi | 3 muaj më parë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Marrëveshja e botuar në Fletoren Zyrtare siguron financimin për zgjerimin e projektit hekurudhor, i cili synon elektrifikimin e plotë të linjës Tiranë–Durrës dhe segmentit të ri që lidh këtë rrjet me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Detajet e projektit dhe financimit

Sipas dokumenteve zyrtare, vlera e huasë së marrë nga BERZH kap shumën prej 11.62 milionë eurosh (nga të cilat 11.5 milionë euro alokohen drejtpërdrejt për punimet e elektrifikimit dhe 120 mijë euro për komisionin fillestar). Projekti i plotë i elektrifikimit bashkëfinancohet në masën 50% nga grantet e Bashkimit Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), duke e çuar koston totale të kësaj faze në 25.12 milionë euro.

Asetet dhe segmentet që përfshihen në këtë zgjerim janë:

  • Linja ekzistuese Tiranë–Durrës: Elektrifikimi i një gjatësie prej rreth 34.17 km.
  • Lidhja me Rinasin: Elektrifikimi i segmentit të ri hekurudhor me gjatësi rreth 5 km që lidh linjën kryesore me Aeroportin e Rinasit.

Sa i përket afatit të realizimit, në marrëveshje përcaktohet se “zgjerimi i projektit pritet të përfundojë deri më 1 prill 2027.”

Plani i financimit (në milionë euro)

Komponenti i ProjektitHuaja e BERZH-itGranti i BE-së / WBIFQeveria ShqiptareTotali
Punime elektrifikimi€11.62M€11.62M–€23.24M
Përgatitja e projektit–€0.62M–€0.62M
Mbikëqyrja & Zbatimi–€1.16M–€1.16M
Blerja e tokës––€0.10M€0.10M
TOTALI€11.62M€13.40M€0.10M€25.12M

Disbursimi i parë i fondit prej BERZH-it i nënshtrohet disa kushteve rigoroze teknike dhe mjedisore. Ndër to përfshihen krijimi i plotë operacional i Njësisë së Zbatimit të Projektit (NJZP), zbatimi i Planit të Veprimit Mjedisor dhe Social, si dhe përgatitja e Planit të Blerjes së Tokës dhe Angazhimit të Palëve të Interesuara.

Marrëveshja u nënshkrua zyrtarisht në Tiranë nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, në emër të Republikës së Shqipërisë, dhe Drejtuesja për Shqipërinë e BERZH-it, Ekaterina Solovova.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme