Euroliga në RTSH: Anadolu Efes mund Crvena Zvezdën në shtesë

Anadolu Efes fitoi përballë Crvena Zvezdës në Beograd pas kohës shtesë 96-97 nën një atmoseferë elektrizuese të mijëra tifozëve vendas të cilët kërkonin fitoren dhe kualifikimin matematikisht. Por skuadra turke mundi që të fitonte e të ngjitet tashmë në vendin e 5-të në pritje të javës së ardhshme për të mësuar nëse do të kualifikohet direkt apo do të kalojë nëpërmjet fazës play in.
Ndeshja nisi e ekuilibruar me skuadrën vendase që mori një avantazh të lehtë të minutave të para. Shqiptari Osmani, i kontestuar nga tifozët vendas në Beograd, në pjesën e parë luajti mjaft mirë dhe ishte vendimtar me disa koshaj.
Për Efes është Dozier që në periodën e dytë i jep një shtysë për të marrë avantazhin por të përkohshëm sepse me 9 pikë radhazi të Canan për Zvezdën gjithçka kalon në krahun e vendasve për ta mbyllur në avantazh me +7 falë edhe një trepikëshi në sekondën e fundit nga Dos Santos.
Pjesa e dytë nis më mirë për Efes pasi me një parcial 20-4 në 7 minuta arrin ta çojë avantazhin deri në 9 pikë edhe pse e nisi me -7. Janë më të saktë turqit në gjuajtje për 3 pikë, sidomos me Bevua, ndërsa në krahun tjetër ka nervozizëm.
Perioda e katërt kthen sërish ekuilibrin pasi Efes nis të gabojë. Ndeshja do të shkojë pikë më pikë deri në fund por efes nuk arrin të shfrytëzojë një avantazh të lehtë për ta mbyllur dhe dy trepikëshat e Zvezdës me anë të Kalinic dhe Canan por dhe koshi i Dos Santos për dy pikë e çojnë ndeshjen në shtesë 88-88.
Në 5 minutat ekstra, Efes sërish tregohet e saktë me Larkin por edhe një herë Zvezda nuk dorëzohet dhe e ul diferencën deri në 1 pikë. Aksioni i fundit i takon Mcintyre që gjuan por nuk shënon e si rrjedhoje fitorja i takon Efes me 1 pikë diferncë pas kohës shtesë 96-97.
Me këtë humbje Zvezda ka zbritur në vendin e 9-të por duke qenë se Milano u mund nga Virtus Bolonja atëherë kualifikohet në fazën play in dhe javën e ardhshme do të luftoj për një pozicion me lart.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



