Euroliga në RTSH: Fenerbahçe kualifikohet në “Final Four”

Basketboll | 2 vite më parë

Fenerbahçe është skuadra e parë që kualifikohet në Final Four teksa ka mundur Parisin pas kohës shtesë 88-98 në ndeshjen e tretë mes tyre në play off duke e mbyllur serinë me rezultatin 3-0.

Ndeshja nisi me një ekuilibër mes dy skuadrave, por Fenerbahçe ishte e qetë dhe nuk nxitohej duke menduar se gjithçka do të diskutohej ne fund. Turqit merrnin avantazhin në fillim dhe maksimalisht e kishin deri në 7 pikë, por nuk shkeputeshin dot.

Parisi luajti me statusin e emergjencës ashtu siç çdo skuadër që do kërkonte të mos eliminohej. Në momentin që ndeshja barazohet në periodën e dyte, francezët kuptuan që kishin vërtet shpresë për rezultat, ndërsa Fenerbahçe ndoshta me pak neglizhencë dhe disi pa u sforcuar e mbylli pjesën e parë 40-46.

Në periodën e tretë nis shpërthimi i Shorts duke i dhënë edhe avantazhin Parisit deri në 6 pikë. Perioda e katërt është pikë më pikë në ekuilibër duke ndryshuar disa herë udhëheqja e takimit, dhe në fund barazohet 80-80 duke e çuar në shtesë.

Me nisjen e shtesës vihet re lodhja e francezëve, të cilët të gjithë titullarët i kanë me mbi 30 minuta aktivizim që perkthehet në mbi 2 orë kohë reale në parket. Fenerbahçe shënon 8 pikë menjëherë dhe shkëputet, Parisi nuk i përgjigjet dot më teksa edhe Shorts del me 5 personale.

Në total në 5 minutat shtesë, Parisi shënon vetëm 8 pikë, ndërsa Fenerbahçe 18, gjë që vulos fitoren për turqit. Shorts e mbyll me 29 pikë dhe Hifi me 24 pikë, por nuk mjaftojnë për të shmangur humbjen dhe eliminimin, ndërsa për Fenerbahçen u dallua Biberovic me 21 pikë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme