Euroliga në RTSH: Panathinaikos, fitore në shtesë me Crvena Zvezdën

Panathinaikos ka fituar një ndeshje magjike ne Athinë përballë Crvena Zvezdës, 111-104 pas kohës shtesë duke konsoliduar vendin e tretë në renditje. Kjo ishte java e 34-ët dhe e fundit të sezonit të rregullt dhe vëmendja ishte e madhe për ndeshjet e së premtes ku më në fund u caktuan edhe pozicionet përfundimtare.
Olimpiakos e mbyll në krye të renditjes me Fenerbahcen që e ndjek e dyta, Panathinaikos e treta dhe Monaco e katërta. Ndërkohë me fitoren e sotme Barcelona ngjitet në vend të pestë dhe Efes në vend të 6-të. Këto janë skuadrat që hyjnë direkt në playoff, më pas nga vendi i 7-të e deri në të 10-in do të luajnë play in dhe janë Real Madrid, Paris, Bayern dhe Crvena Zvezda.
Ndeshja në Oaka ishte e gjitha e akulibruar me skuadrën udhëtuese që e mbylli pjesën e parë në avantazh të ngushtë 47-49. Ndërkohë që McYntire shpërtheu me 5 trepikësha ashtu si edhe Nedovic po me 5 trepikësha për t’ia bërë të vështirë Panathinaikosit përgjatë gjithë mbrëmjes.
Por perioda e katërt është e vështirë për Zvezdën teksa i dëmtohet pikërisht McYntire që deri në atë moment kishte shënuar 26 pikë. Panathinaikos ndërkohë arrin të qëndrojë në lojë falë Kendrick Nunn që në fund e mbyll me 31 pikë dhe Hernangomez me 18 pikë.
Fundi është interesant teksa Hernangomez shënon koshin e barazimit 96-96 dhe ndeshja shkon në shtesë. Vendasit gjejnë Gabriel me 8 pikë në shtesë, ndërsa nga ana tjetër Petrushev dhe Canan dalin me 5 personale dhe Zvezda ka pak shanse për të shënuar. Mbyllet me fitoren e vendasve nën një atmosferë të zjarrtë në Oaka. Tashmë java e ardhshme i takon fazës play in ku më datë 15 dhe 18, katër skuadra do të luftojnë për dy vendet e fundit në play off.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




