Euroliga në RTSH: Panathinaikos mposht me përmbysje Barcelonën

Basketboll | 3 vite më parë

Veprimtaria më prestigjioze e basketbollit kontinental të klubeve për meshkuj, Euroliga, vijon sezonin e saj të rregullt dhe përgjatë kësaj jave u luajtën së bashku dy javë të saj, ajo e 30-ta dhe ajo e 31-të. Dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për 4 ditë me radhë për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport takimet më të spikatura.

Ato kanë nisur të martën dhe kanë vijuar të mërkurën me duelet më të spikatur të javës së 30-të, ndërsa të enjten dhe të premten kanë ardhur drejtpërdrejt për sportdashësit dy sfida të tjera interesante të javës së 31-të.

Dhe siparin e kësaj jave të koshit e ka ulur të premten dueli midis Panathinaikosit dhe Barcelonës. Kjo ndeshje është karakterizuar nga epërsia e miqve në 10-minutëshin e parë, që është fituar nga Barcelona me shifrat 23-20, ndërsa edhe 10-minutëshi i dytë ka patur me të njëjtën tablo, pasi është skuadra katalane që e ka fituar atë, 23-14. Kjo ka bërë që të dy ekipet të shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave me Barcelonën që kryeson me 12 pikë epërsi, me shifrat 46-34. Por skuadra greke ka dalë e transformuar nga dhomat e zhveshjeve, teksa ka kryesuar për disa çaste, duke e fituar bindshëm 10-minutëshin e 3-të, 26-15.

Kjo nuk mjafton, pasi Barcelona mbetet në kryesimin pas një gjysmë ore lojë, me një pikë të vetme, 61-60. Megjithatë skuadra greke vazhdon ringjalljen, teksa e ka fituar 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit 29-20, dhe gjithë ndeshjen 89-81. Ky rezultat nënkupton se Panathinakosi dhe Barcelonë barazohen në vendin e dytë të renditjes, teksa kanë mbetur edhe 3 javë nga sezoni i rregullt i Euroligës së basketbollit për meshkuj.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme