Euroliga në RTSH: Reali shkatërron Barcelonën

Real Madrid arrin të fitoje El Clasico përballë Barcelonës me rezultatin 80-61 në një ndeshje të dominuar që nga minuta e parë deri tek e fundit. Në një takim ku mungoi faktori kryesor në një derbi, lufta sportive, Reali përfitoi dhe bëri një ndër ndeshjet më të mira të këtij sezoni.
Në minutat e para madrilenët u shkëputën falë një apatie të katalanasve teksa shënuan vetëm 2 pikë në 5 minutat e para. Edhe pse tentuan të futeshin në lojë me ndërrimet e Xavi Pascual, Barcelona sërish tregonte brishtësi.
Perioda e parë mbyllet 21-14, ndërsa e dyta 22-17. Në pushim të ndeshjes Xavi Pascual thotë se Barcelona duhet të ndryshojë gjithçka në pjesën e dytë, ndërsa Sergio Scariolo i Real Madridit deklaroi se planin për të bllokuar lojtarin më të mirë të Barcelonës, Kevin Punter, e realizuan me sukses.
Në fillim të periodës së dytë, Barcelona jep shenja jete dhe e ul diferencën në 5 pikë, 45-40. Më tej nis vrulli madrilen dhe anajsjelltas gabimet e njëpasnjëshme të Barcelonës si dhe gjuajtje të humbura në nervozizëm e sipër. Shumë lojë individuale që mbrotja në grup e Real Madridit arrinte ta thyente.
Në fund të periodës së tretë një trepikësh i Hezonjës e çon në 15 pikë avantazhin dhe duket se nuk ka më kthim pas. Në fakt në periodën e katërt ka vetëm administrim dhe një uri e Usman Garuba për të shënuar e si rrjedhojë për Real Madridin avantazhi arrin deri në 21 pikë diferencë maksimalisht dhe Barcelona e pranon kapitullimin.
Me këtë fitore Real Madridi ngjitet në vend të 5-të, ndërsa Barcelona zbret në vend të 6-të pas 22 javësh në Euroligë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




