Evi Reçi zbulon emocionet e “Kodit të Jetës”: Performancë më e guximshme në Festivalin e 64-t të Këngës

Kulturë | 11 muaj më parë

Këngëtarja e njohur Evi Reçi, e ftuar në emisionin “Çasti i Duhur” në RTSH1, ka ndarë detaje të reja mbi këngën e saj “Kodi i Jetës”, me të cilën do të konkurrojë në Festivalin e 64-t të Këngës në RTSH. Reçi tregoi se kënga është e ndërtuar mbi ndjesinë e mëmësisë dhe lidhjen shpirtërore mes prindit dhe fëmijës.

Sipas saj, “Kodi i Jetës” mbart një mesazh universal që mund të prekë edhe njerëzit që nuk janë prindër.

“Është një këngë që nis nga ndjenja e mëmësisë, duke marrë parasysh se kodi i jetës është nga kodi gjenetik deri tek kodi i ndjeshmërisë që ka një prind me fëmijën e tij. Mendoj që kodi universal është ai kod që njerëzit që përjetojnë këtë ndjesi ta gjejnë veten por kuptohet në disa fragmente në këngë nuk është 100% vetëm për njerëzit që janë prindër por është një këngë shpirtërore. Kënga flet për frikrat, për ndjenjën e fortë, për netët pa gjumë do ta kuptoni se nuk është një ninullë tipike edhe pse është ndjenjë”, tha Reçi.

Reçi rrëfeu se i ka treguar autores së tekstit të gjitha mendimet e saj më të errëta dhe më të bukura për të ndihmuar procesin krijues, duke shtuar se bashkëpunimi me orkestrën dhe përdorimi i harqeve e ka bërë këngën akoma më të veçantë.

“Autores time ja tregova të gjitha edhe mendimet më të errëta edhe ato më të bukurat në mënyrë që ta kishte më të lehtë krijimin e tekstit. Kur e bëri këngën erdhi ma tregoi kur dëgjova demon mendova se kënga duhet të kaloj në një tjetër nivel dhe jam shumë e kënaqur me këtë këngë. Nuk është një baladë por është etno-dance që krijon një forcë, sepse ka shumë ritëm, shumë ndjenjë dhe nuk është nga ato baladat tipike por ka shumë forcë brenda sidomos me harqet që po bëjmë provat me orkestrën është një gjë e jashtëzakonshme”, tha këngëtarja.  

Në lidhje me performancën, Reçi zbuloi se këtë vit do të jetë më e guximshme se më parë, qoftë në aspektin e veshjes, qoftë në skenografi. Ajo bëri të ditur se do të ketë edhe një element special nga baleti i Operës, që do t’i japë performancës një dimension unik.

“Përveç muzikës, edhe veshjes i kushtoj vëmendje por mund të them se performanca do të jetë më e guximshme këtë vit se sa vitet e tjera qoftë nga veshja ime qoftë nga prezenca në skenë dhe do të kemi dhe një prekje nga baleti i operës e cila do të jetë shumë e veçantë”, theksoi Reçi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme