Fantastike Erblira Bici! Shpallet kampione e Europës me Megabox dhe lojtarja më e mirë e turneut

Sporte të tjera | 8 muaj më parë

Volejbollistja shqiptare, Erblira Bici, është shpallur kampione e ‘Challenge Cup 2026’ me ekipin italian Megabox Vallefoglia. Kësaj arritjeje të sportistes shqiptare i shtohet edhe vlerësimi si lojtarja më e mirë e turneut.

Skuadra e Megabox luante për herë të parë në arenën europiane, megjithatë Bici ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme, duke e ndihmuar për të fituar trofeun. Në finale skuadra italiane mundi Panathinajkosin. Ndeshja e parë në Itali kishte përfunduar 3-2, ndërsa në Athinë Bici dhe shoqet e saj triumfuan 0-3.

Megabox dominoi, duke i fituar setet 20-25, 25-27 dhe 16-25. Erblira Bici ishte protagonistja kryesore, me 23 pikë të realizuara në këtë ndeshje. Ajo u shpall edhe pikëshënuesja më e mirë e turneut.

Në këtë rrugëtim europian skuadra e volejbollistes shqiptare eliminoi kundërshtarë si, AEK, Fatum Nyiregyhaza, Emalsa Gran Canaria dhe KHG Kaposvari. Për Bicin ishte trofeu i dytë në Europë, pas atij të 2019-ës me Novarën në “Champions”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme