Faqe digjitale për ish-të burgosurit e Spaçit, dokumentohen vuajtjet dhe historitë e ish-të dënuarve politikë
Historitë e ish-të dënuarve politik në burgun famëkeq të Spaçit nga sot mund të aksesohen nga gjithkush nëpërmjet faqes se uebit, spac.al.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e ka ndërtuar faqen duke dokumentuar përmes letrave, dëshmive dhe materialeve të ruajtura ndër vite, kalvarin e vuajtjeve të 2.000 të burgosurve dhe familjeve të tyre.
“Përmes arkivave, dëshmive dhe kujtimeve ne sigurojmë që e vërteta nuk harrohet. Kjo punë na ndihmon të krijojmë një memorie kolektive, jo vetëm për ta njohur por edhe për të nxjerrë mësime nga e kaluara dhe të edukojmë brezin e ri për çmimin e lirisë”, u shpreh Gentiana Sula, kryetarja e AIDSSH.
Vitet më të bukura të rinisë Agron Hoxha i ka kaluar në burgun e Spaçit. Edhe pse kujtimet e bëjnë të vuajë, ai kërkon që historitë e ish-të burgosurve të rrëfehen e të dokumentohen për të gjithë ata që vuajtën dhe humbën jetën brenda atyre mureve.
“Kampi i Spaçit ka shfrytëzuar për minierat mbi 2.000 të burgosur, që kanë punuar në mënyrë çnjerëzore dhe në shumë raste janë futur në minierë dhe nuk kanë dalë më. Edhe sot e kësaj dite janë pa varre”, tha Agron Hoxha.
Faqja spac.al do të jetë një kujtesë për të gjithë ata të dënuar që kanë vuajtur dënimet në burgun e Spaçit për agjitacion dhe propagandë, tradhti ndaj atdheut, apo tentativë të rrëzimit të pushtetit popullor. Portali do të vijojë të pasurohet me dëshmi apo dokumentacione të reja që vijnë në lidhje me historitë e ish-të burgosurve.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




