”Festa e luleve” në Shkodër, një javë e mbushur me aktivitete që do kulmojnë më 6 maj
Këtë të diel ka nisur zyrtarisht java e festimeve për “Festën e luleve”, duke e kthyer qytetin e Shkodrës në një hapësirë të mbushur me ngjyra, aromë dhe gjallëri.
Koordinatorja e aktiviteteve, Eneida Beci thekson se gjatë këtyre ditëve janë planifikuar një sërë organizimesh që synojnë të përfshijnë të gjitha moshat nga panaire me lule, ekspozita artizanale, deri tek aktivitete argëtuese për fëmijë dhe familje.
Ajo nënvizon rëndësinë e kësaj jave “jo vetëm si festë, por edhe si një mundësi për të promovuar dashurinë ndaj natyrës dhe për të mbështetur prodhuesit vendas”.
Pjesë e rëndësishme e kësaj atmosfere festive u bënë edhe pjesëmarrësit e panairit, të cilët kanë sjellë një shumëllojshmëri lulesh dhe bimësh dekorative.
Një ndër ekspozuesit më të veçantë prezantoi edhe një element të rrallë dhe tërheqës fluturat, të cilat i rrit në një kopsht të mbyllur, duke krijuar një harmoni të bukur mes florës dhe faunës.
Gjallërimi i qytetit gjatë këtyre ditëve ka tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve, vendas dhe të huaj, por mbi të gjitha ka sjellë buzëqeshje tek më të vegjlit, të cilët e përjetojnë këtë festë si një botë magjike plot ngjyra dhe surpriza.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




