Festa e ndërrimit të viteve në ekranin e RTSH, organizatorët zbulojnë surprizat
Radio Televizioni Shqiptar do të sjellë këtë fundvit argëtim dhe të qeshura pa fund, për të gjithë shqiptarët. Festa nis me një program të larmishëm kushtuar vogëlushëve, nën prezantimin e teta Ketit.
“ ”Ja na erdhi viti i ri” është edhe titulli i programit për fëmijë që teta Keti do të sjelle sot në orën 18:00 në RTHS 1. Një program kushtuar tërësisht të vegjëlve, vjersha, këngë, valle nga të gjitha zonat e Shqipërisë. Është një program që fëmijët do e dashurojnë jam i bindur”, tha Klajdi Gorica.
Tryezën festive të ndërrimit të viteve do ta shoqërojë spektakli i fundivitit, i kuruar me të gjitha elementët artistik ku nuk do të mungojë humori dhe muzika më e mirë, spektakël që do të zgjasë deri në orët e para të Vitit të Ri 2026.
“Është një variete ku përfshihet humor, muzika, spektakli. Është një atmosfere që do mbetet gjatë në mendjen e spektatorëve”, tha regjisori Altin Basha.
“Është një eksperiencë shumë e bukur dhe jam shumë e lumtur që mu dha mundësia. Është një spektakël që bazohet tek tradita, mban emra nga më të mirët e muzikës shqiptare dhe humorit” u shpreh moderatorja Fjodora Fjora.
“Spektakli “Trokitje dashurie” do të vijë mjaft i veçantë, aty ku do të ndërthuren elementë të humorit, elementë artistikë, por edhe trokitje zemre dhe urimet më të mira për të gjithë qytetarët dhe stafin e RTHS”, u shpreh moderatorja Matilda Mcini.
“Është një lloj privilegji dhe kënaqësie t’i flasësh shqiptarëve përmes ekranit natën e ndërrimit të viteve” u shpreh moderatori Flori Gjini.
Si gjithmonë RTSH do ta nis ditën e parë të 2026 me ekskluzivitetin e transmetimit të koncertit të Vjenës, ndërsa për të gjithë nostalgjikët do të vijë një buqetë me skeçet më të mira ndër vite
“Buzëqeshje pa kohë do të vijë më 1 janar dhe më pas do të jenë serenatat korçare. Ka një buqetë të mirëfilltë festive duke filluar që me filmat, koncertet, serialet etj.”, tha Gorica.
RTSH premton të tjera risi me programet në të gjitha kanalet që ofron çdo ditë të vitit, duke përmbushur shijet e publikut si televizioni i të gjithëve. Misioni si media në shërbimi të publikut vazhdon…
Gazetare: Elda Lamja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




