“Festa e trëndafilave”, mbledh banorë dhe vizitorë në Pojan

Aktualitet | 5 muaj më parë

Fshati Pojan në bashkinë Maliq u mbush me ngjyra dhe aromë lulesh gjatë “Festës së Trëndafilave”, një aktivitet tradicional që promovon kulturën dhe bukuritë e zonës. Banorë dhe vizitorë të shumtë morën pjesë në festë, ku krahas ekspozimit të trëndafilave u organizua edhe një panair me gatime tradicionale dhe produkte artizanale.

Përfaqësues të pushtetit vendor vlerësuan rëndësinë e kësaj feste në ruajtjen dhe promovimin e traditave lokale.

Në çdo njësi administrative ne kemi festat tona lokale. Pojani ka një festë të veçantë, atë të trëndafilave, për të cilët shquhen të gjitha familjet, veçanërisht gratë dhe zonjat e Pojanit. Në shtëpitë dhe oborret e tyre fantastike nuk mund të gjesh një ambient pa trëndafila. Kjo është bërë shkak që i gjithë komuniteti i fshatit, por jo vetëm, të kërkojë që kjo të kthehet në një traditë të përvitshme”, tha Gëzim Topçiu,  Kryetar i Bashkisë Maliq.

Sipas organizatorëve, aktiviteti synon të përcjellë traditën e kultivimit të trëndafilave te brezat e rinj.

“Festa e Trëndafilave është kthyer tashmë në një traditë për fshatin e Pojanit, i cili, me gjithë këto restaurime, është shndërruar në një qytezë shumë të bukur. Edhe ne jemi shumë të lumtur që Qendra e Kulturës “Dimitro Orgocka” është një mbështetje e rëndësishme për shkollën e mesme “Bardhyl Pojani” në organizimin e këtij aktiviteti”, tha Dhora Dajko, Drejtore e Pallatit të Kulturës “Dhimitër Orgocka”

Gjatë festës u shpall edhe fituesi i konkursit rinor për promovimin e destinacioneve turistike të zonës, ku çmimi i parë iu dha Noah Larakut.

Aktiviteti u mbyll me këngë, valle dhe interpretime artistike nga Qendra Kulturore “Dhimitër Orgocka” dhe nxënësit e shkollës së mesme “Bardhyl Pojani”.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme