Festë në pikat e kalimit kufitar, traditë, mikpritje dhe identitet kombëtar në Qafë Thanë dhe Kapshticë

Aktualitet | 11 muaj më parë

Në kuadër të festave të Nëntorit, dy pikëkalimet kufitare më të rëndësishme të juglindjes, Qafë Thanë dhe Kapshticë, u shndërruan në skena festive që përcollën atmosferën e krenarisë dhe identitetit kombëtar. Udhëtarët që hynin në Shqipëri u pritën me veshje popullore, muzikë dhe valle tradicionale, duke krijuar një moment të veçantë mirëseardhjeje që mishëroi kulturën dhe mikpritjen shqiptare. Aktivitetet u organizuan në bashkëpunim me institucionet vendore, me synimin për të promovuar trashëgiminë kulturore në një ditë me rëndësi të veçantë historike.

Në Doganën e Qafë Thanës, grupi i valleve të Pogradecit prezantoi performanca folklorike të pasura me motive të traditës shqiptare. Valltarët, të veshur me kostume karakteristike të zonës, krijuan një atmosferë festive, duke marrë vëmendjen dhe duartrokitjet e të huajve dhe bashkëkombësve që kalonin kufirin. Ky organizim u vlerësua si një mënyrë dinjitoze për të përcjellë frymën e festave kombëtare dhe për ta promovuar Shqipërinë si një vend me kulturë dhe identitet të spikatur.

Ndërkohë, edhe në pikën kufitare të Kapshticës, grupi i valleve të Devollit, të veshur me ngjyrat kuqezi dhe kostume popullore, interpretuan valle autoktone dhe përcollën emocion me performancat e tyre simbolike. Udhëtarët u ndalën për të fotografuar dhe për të ndarë biseda të ngrohta me fëmijët, duke e shndërruar kufirin në një hapësirë të gjallë feste dhe tradite.

Gazetare Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme