Festivali i Pranverës po vjen! Këngëtarët në provat e fundit, skenaristi Salihu: Krijimet e një niveli të lartë, do të ketë surpriza!

Kulturë | 5 muaj më parë

Netët e shumëpritura të Festivalit të Pranverës tashmë janë afër. Festivali i Pranverës tashmë është në fazën e fundit përgatitore, duke sjellë atmosferën e një feste të madhe artistike për publikun shqiptar.

Mbrëmjen e 28 majit janë publikuar edhe këngët konkurruese të këtij festivali, ku vetëm pak orë pas publikimit, këngët kanë marrë qindra klikime dhe reagime nga fansat e artistëve pjesëmarrës, të cilët duket se e kanë pritur me shumë kureshtje rikthimin e këtij festivali.

Të 20 prurjet muzikore konkurruese janë tashmë të disponueshme në faqen zyrtare të Radio Televizionit Shqiptar në YouTube, duke tërhequr menjëherë vëmendjen dhe interesin e publikut.

Skenaristi i Festivalit të Pranverës, Genc Salihu, thotë se materialet muzikore janë të një niveli të lartë artistik dhe se ishte i pritshëm reagimi i publikut.

“Në fakt që nga momenti i parë që kam dëgjuar këngët kur janë sjellë në inbox-in tim, e kam parë se është një material mbimesatarisht i mirë për një konkurrim tipik në një festival dhe nuk më ka çuditur fare se ka pasur interesim të publikut, se këngët me të vërtetë janë të mira, janë këngë ritmike, ka edhe varietet zhanresh”, tha Salihu.

Festivali i Pranverës, i rikthyer pas dy dekadash në Radio Televizionin Shqiptar, gjatë dy netëve të tij premton surpriza të shumta, ku një nga më të veçantat pritet të jenë këngët dhe këngëtarët të cilët kanë bërë histori në festivalet e pranverës ndër vite.

“Kemi zbuluar një gjë shumë të rëndësishme, që kush do të jenë prezantuesit. Ata janë dy njerëz që publiku i do shumë, Bleona Qereti dhe Nik Xhelilaj. Ne nuk kemi shumë dëshirë që të zbulojmë gjithçka para spektaklit, sepse është gjithmonë mirë që të mbajmë surpriza. Por çfarë mund të them është që përveç konkurrimit që do të jetë shumë i fortë, do të kemi edhe shumë paraqitje jashtë konkurrimit të artistëve që janë, themi, legjendarë shqiptarë, të cilët do t’i kthejnë në skenë disa nga këngët e pavdekshme që ka nxjerrë ky festival”, tha ai.

Ndërkohë, puna në Radio Televizionin Shqiptar vijon pa ndërprerje, ku pothuajse çdo detaj për Festivalin e Pranverës është drejt përmbylljes.

“Institucioni i Radio Televizionit të Shqipërisë ka një përvojë shumë të gjatë, shumë dekadash me inskenimin e spektakleve muzikore. Kështu që këtu kemi një makinë shumë mirë të lubrifikuar. Domethënë çdo gjë funksionon shumë mirë. Jemi në fazën e fundit. Çdo gjë është në kohë. Çdo gjë është e saktë”, tha skenaristi Salihu.

Festivali i Pranverës është një rikthim në vlerat e Radio Televizionit Shqiptar, i cili do të zgjojë edhe njëherë pikërisht atë kënaqësi dhe atë afrimitet mes publikut dhe medias publike, që ka qenë dhe që duhet patjetër të rikthehet e të rizgjohet.

Festivali i Pranverës vjen në datat 6 dhe 7 qershor ekskluzivisht në Radio Televizionin Shqiptar.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme