Fieri nis sezonin teatror me shfaqjen plot humor të Pëllumb Kullës, “Magjia e skenës fierake”

Kulturë | 2 vite më parë

“Magjia e skenës fierake” ka ngritur siparin e teatrit “Bylis” në Fier, duke emocionuar publikun vendas dhe jo vetëm.

Libreti plot humor i Pëllumb Kullës, nën drejtimin e Viktor Zhustit dhe Era Makoçit, si dhe me interpretimin e një sërë aktorësh të rinj, i fali publikut të qeshura pa fund, duke risjellë në vëmendje momentet kulmore të 60 viteve punë të Kullës në këtë teatër.

“Në këtë teatër kam shkrirë gjithë rininë time bashkë me shokët. Pëllumb Kulla gjeti shtratin këtu, por edhe ne gjetëm Pëllumb Kullën, majën e ajsbergut ose një margaritar,” u shpreh Artisti i Popullit, Luftar Paja.

“Pëllumb Kulla ka arritur në një moment që ne e konsiderojmë një legjendë të gjallë, që duhet patjetër ta prekim dhe ta jetojmë,” deklaroi aktori dhe regjisori Leonard Bombaj.

Regjisori, njëherazi edhe dramaturgu i njohur, z. Kulla u ndal tek nevoja e artit teatrit dhe e ndikimit të tij në shoqëri.

“Nevoja e teatrit, nevoja e humorit, e lëvizjes artistike dhe e mësymjes së talenteve që vijnë rreth kësaj skene… është e nevojshme,” tha z. Kulla.

Shfaqja “Magjia e skenës fierake” përcolli shumë humor dhe riktheu në skenë për përkujdesjen muzikore, Ferit Hoxhën, Brunilda Sota Hoxhën, Dritan Boriçin, me udhëheqës artistik Gëzim Kamen.

Bashkia e Fierit ka mundësuar edhe botimin e 7 vëllimeve me veprën e Pëllumb Kullës në vite.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme