FIFA “fal” Cristiano Ronaldo, portugezi luan në ndeshjen debutuese të Botërorit 2026

FIFA ka pranuar rekursin e Portugalisë dhe ka falur Cristiano Ronaldo. Skualifikimi i tij tashmë është vetëm një ndeshje dhe tashmë ai e ka shlyer atë.
Kristiano Ronaldo do të jetë në dispozicion të stafit teknik të Portugalisë për ndeshjen e parë të fazës finale të Botërorit 2026. Ai u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen kundër Irlandës. Komiteti disiplinor i FIFA-s ka vendosur që skualifikimi i Ronaldos të jetë minimal, me vetëm një ndeshje, që 40-vjeçari e ka shlyer me mungesën e 16 nëntorit ndaj Armenisë.

Këtij dënimi i shtohen edhe dy ndeshje të tjera pezullim, por ato janë pezull aktualisht dhe bëhen aktive vetëm në rast se portugezi bëhet sërish protagonist i incidenteve të tjera disiplinore.
Më 13 nëntor Ronaldo u ndëshkua direkt me karton të kuq kundër Irlandës në Dublin. Fillimisht arbitri suedez Nyberg e ndëshkoi me të verdhë për një kontakt me O’Shea. Kartoni u bë i kuq pasi u panë pamjet në VAR dhe u konstatua se gjesti ishte i dhunshëm.
Vendimi i Komitetit disiplinor të FIFA-s duket si një falje, po të kemi parasysh normat e ashpra ndërkombëtare. Rregullorja parashikon sanksione shumë më të rënda për raste të tilla.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



