Filmat vizatimorë dhe ndikimi tek fëmijët, punonjësja sociale: Përzgjedhja e përmbajtjes ndikon në zhvillimin e tyre
Filmat e animuar janë pjesë e përditshmërisë së shumë fëmijëve, duke ndikuar në mënyrën se si ata komunikojnë, mësojnë dhe përjetojnë emocionet. Punonjësja sociale Tonilda Çela thekson se përmbajtja që ndjekin fëmijët duhet të jetë e përshtatshme për moshën dhe e kontrolluar nga prindërit.
“Fëmijët nuk janë duke parë më filmat vizatimorë në gjuhën shqipe, por në gjuhë të tjera. Kjo është një formë zhvillimi për ta dhe kjo na gëzon, por jo deri në pikën për të harruar apo braktisur gjuhën shqipe. Ndër elementët e tjerë të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve, në aspektin emocional, është edhe ana empatike. Duhet të kemi parasysh sa e rëndësishme është që këta fëmijë të mësojnë dhe të fitojnë vlera njerëzore edhe nëpërmjet këtyre sjelljeve, megjithëse jo gjithmonë ato janë pozitive”, tha punonjësja sociale, Tonilda Çela.
Megjithatë, jo çdo përmbajtje konsiderohet e përshtatshme për fëmijët.
“Përmbajtja e filmave vizatimorë mbetet shpesh e dëmshme dhe sjell shumë rreziqe, sidomos kur shoqërohet me sjellje të dhunshme që fëmijët i shohin në këto filma. Shpeshherë paraqiten mjete prerëse, thika apo armë, të cilat përdoren edhe në formë loje. Fëmijët modelojnë dhe imitojnë çdo sjellje që shohin në filmat vizatimorë”, shtoi ajo.
Prindërit këshillohen të kontrollojnë kohën dhe përmbajtjen që ndjekin fëmijët në ekran.
“Janë filmat edukativë, janë ata filma që përcjellin mesazhe me vlera njerëzore dhe tregojnë për rregullat e jetës, respektin ndaj tjetrit, disiplinën dhe higjienën. Ata përcjellin gjithashtu mesazhe dashurie dhe mirëkuptimi në forma të ndryshme, të përshtatura për mosha të ndryshme”, u shpreh Çela.
Kontrolli i përmbajtjes që ndjekin fëmijët dhe kufizimi i kohës para ekranit konsiderohen hapa të rëndësishëm për të ndihmuar në një zhvillim më të shëndetshëm emocional dhe social të tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




