Flamurtari kërkon fitoren e parë

Flamurtari është në kërkim të fitores së parë në këtë fillim kampionati në Abissnet Superiore, kur të dielën do të përballet me Vorën. E për të marrë tri pikët e para, Garsia, trajneri i skuadrës vlonjate, mendon të bëjë disa ndryshime në formacion në të tre repartet.
Në tre javë vetëm dy pikë. E tashmë Flamurtari kërkon fitoren e parë në Abissnet Superiore. Vlonjatët do të luajnë sërish jashtë fushës së tyre, konkretisht në Laç, ku i pret transferta e vështirë me Vorën, ekip me të cilin rivalizuan edhe sezonin e kaluar teksa ndodheshin në kategorinë e parë. Tani te Flamurtari kërkohen tri pikët ndërsa priten ndryshime në formacionin titullar, krahasuar me dy ndeshjet e fundit të kampionatit.
Burime nga klubi vlonjat konfirmojnë se gjatë këtyre ditëve në stërvitje, trajneri Carlos Garsia i ka dhënë prioritet repartit të mbrojtes, aty ku me shumë mundësi mund të ketë lëvizje përsa i përket lojtarëve titullarë. Stiven Janku është një nga lojtarët që mendohet se mund ta nisë nga minuta e parë ndeshjen ndaj Vorës sëbashku me Diarra në mesfushë.
Te kuqezinjtë e Vlorës, përsa i përket sulmit, Maksuti është ai që deri tani i ka lënë të gjithë të kënaqur në qytetin bregdetar, e përkrah tij pritet të luajë italiani Bolzan. Megjithatë, formacioni përfundimtar do të përcaktohet në përfundim të seancës së fundit stërvitore të Flamurtarit, e cila do të zhvillohet të shtunën. Takimi me Vorën do të luhet të dielën në stadiumin e Laçit duke nisur nga ora 16.00.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




