“Forcohet kontrolli mbi institucionet”, Komisioni për Nismat Qytetare prezanton mekanizma të rinj për matjen e performancës
Kuvendi po synon të vendosë standarde të reja për vlerësimin e punës së institucioneve të pavarura.
Në Komisionin për Nismat Qytetare, kryetari Fatmir Xhafaj deklaroi se raportimi do të mbështetet në tregues konkretë performance, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien ndaj Parlamentit.
“Ky është një proces shumë i rëndësishëm parlamentar, sepse ka të bëjë me përmbushjen e njërit prej tre misioneve kryesore kushtetuese të Kuvendit, atë të mbikëqyrjes parlamentare. Njëkohësisht, ai përbën edhe një reflektim dhe zbatim të rekomandimeve të Bashkimit Europian, si dhe të angazhimeve të shtetit shqiptar në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit”, tha kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj.
Me pjesëmarrjen në komision të Gjin Gjonit, i vetmi përfaqësues nga opozita, Xhafaj argumentoi rëndësinë e shqyrtimit paraprak të projekt-rezolutave në komision, përpara se ato t’i nënshtrohen votimit në Kuvend.
“Komisioni, përmes stafit të tij, ka ndërtuar një komunikim të frytshëm. Besoj se ky është hapi i parë, i cili ka rezultuar pozitiv, me institucionet dhe agjencitë e pavarura që kanë funksione audituese dhe kontrolluese, në mënyrë që jo thjesht të njihemi me punën e tyre, por edhe të ndikojmë në zbatimin e rekomandimeve që ato japin për institucionet e tjera. Kjo e bën më komplementar rolin dhe funksionin mbikëqyrës të Kuvendit”, tha ai.
Sipas Xhafajt, ky mekanizëm synon të rrisë transparencën, llogaridhënien dhe mbikëqyrjen efektive të institucioneve të pavarura nga Kuvendi.
RTSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




