Franca do të ndalojë produktet nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor

Franca do të nisë një proces për të ndaluar produktet që vijnë nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor. Këtë e njoftoi të martën ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, në mes të rritjes së dhunës së kolonëve që ka dëmtuar edhe më shumë perspektivat e një zgjidhjeje me dy shtete me palestinezët.
“Franca do t’i japë fund tregtisë me vendbanimet izraelite në Palestinë, së bashku me 11 vende të tjera që kanë marrë angazhime të ngjashme.
Pse e bëjmë këtë? Sepse Bregu Perëndimor është afër shpërthimit – ka zgjerim të tërbuar të vendbanimeve, shpërthim të dhunës kundër palestinezëve nga kolonë ekstremistë dhe akte terrori që janë kritikuar edhe nga vetë autoritetet izraelite,”, shkroi Jean-Noël Barrot.
Ky hap vjen në një kohë kur disa shtete të Bashkimit Evropian kanë shprehur zhgënjim sepse nuk arritën të merrnin një vendim të përbashkët në nivel të BE-së, për shkak të opozitës së Gjermanisë dhe mungesës së shumicës së kualifikuar.
Të martën, Britania njoftoi gjithashtu ndalimin e tregtisë me mallrat e prodhuara në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, në bashkërendim me Francën dhe Kanadanë.
“Duke pasur parasysh situatën në terren, nuk mund të presim më, prandaj po marrim këtë vendim kombëtar,” tha një burim diplomatik francez.
Mënyrat e zbatimit të ndalimit ende nuk janë finalizuar dhe nuk është e qartë se kur do të hyjë në fuqi.
Njoftimi është pjesë e një iniciative të përbashkët mes presidentit të Francës dhe kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, e diskutuar gjatë takimit të tyre në Londër.
Disa partnerë të BE-së dhe vende të tjera kanë nënshkruar këtë iniciativë, dhe pritet që rreth një duzinë vendesh të ndjekin të njëjtin shembull.
Vendimi i Britanisë shkaktoi reagime të forta në Izrael. Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, kërkoi dëbimin e ambasadorit britanik.
Marrëdhëniet e Francës me Izraelin janë tensionuar prej disa muajsh dhe u përkeqësuan më tej vitin e kaluar, pasi Franca udhëhoqi përpjekjet në Kombet e Bashkuara për njohjen e një shteti palestinez.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




